E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra për Artin sduhet të dublojë Ministrinë

Stefan çapaliku

Nëse do të bëjmë një historik të shkurtër, do të shohim se që në vitin 1996, atëherë kur miratuam një ligj për kinemanë, i cili parashikoi ngritjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe rezultoi i suksesshëm, u mendua që të ngriheshin edhe qendra të tjera që do të organizonin veprimtaritë kulturore. Kjo gjë u ndërpre në vitin 1997 për arsye që dihen, në vitin 2000 pati përpjekje për ligjin e teatrit që nuk u implementua, në 2006-n u bë një ligj i dytë, që synonte po ashtu krijimin e këtyre qendrave kulturore, por që nuk u zbatuan asnjëherë. Për mua problemi mbetet në organizimin e Qendrës Kombëtare të Artit, e cila në këtë rast dublon institucionin e Ministrisë së Kulturës, sepse kjo qendër do të ketë një buxhet më vete dhe ndoshta më të madh se vetë ministria. Buxheti i kësaj qendre duhet të ndahet nga ana e MTKRS-së dhe mos t’i lihet kësaj qendre ta ndajë buxhetin në degët e artit, sepse në këtë rast ne nuk i kemi deleguar thjesht kompetenca administrative, por edhe kompetenca të politikës dhe kjo e nxjerr jashtë loje Ministrinë e Kulturës. Së dyti, doja të ndalesha në dy imtësi që kanë të bëjë me pjesën e definicioneve, përcaktimeve që janë krejtësisht të qortueshme. Në këtë draft thuhet se “cirku është një trupë artistësh me profile të përafërta artistike, të cilat kanë për qëllim argëtimin e një publiku të gjerë, që performon në mënyrën e saj tipike në një tendë shumë të madhe”. Cirku mund të bëhet edhe në një skenë shumë të vogël, edhe në kuzhinë, nuk ka rëndësi. është guxuar të përcaktohet me terma thellësisht subjektivë dhe aspak juridikë termi “kulturë” (kulturë është cilësi e një personi ose shoqërie, qytetërimi, e cila konsiderohet si e shkëlqyer në arte, letra, sjellje, dijetari etj.). Këta janë mbiemra që nuk kanë lidhje me fjalorin juridik. Do të ishte e mira t’i shihnim me një sy më akademik.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›