Berisha urdhër ministrave: Jo më pushime pas 15 gusht
Anëtarët e kabinetit qeveritar nuk do mund të pushojnë deri në fund të gushtit. Rënia e tempit të punës në periudhë pushimesh dhe nevoja për t’u paraqitur sa më mirë në progres-raportin e Komisionit Europian, që pritet të dalë në dhjetëditëshin e parë të muajit tetor, duket se ka detyruar kryeministrin Sali Berisha që të urdhërojë të gjithë ministrat e kabinetit të tij që më datë 15 gusht të jenë të gjithë në punë. Urdhri ka qenë verbal dhe ministrave u është udhëzuar që të qëndrojnë me pushime vetëm në dyjavëshin e parë të këtij muaji, pasi më pas duhet t’i kthehen punës.
Urdhri
Ndryshe nga vitet e tjera, kur gjatë muajit gusht administrata e lartë shtetërore, kryesisht ministrat, kanë ndjekur parimin edhe punë edhe pushime, këtë vit gushti për ta do të jetë i kushtëzuar. Ata do të pushojnë vetëm edhe këtë javë, pasi të hënën tjetër duhet të kthehen në punë me kohë të plotë. Kryeministri Berisha ka urdhëruar të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave që pushimet e programuara verore të mund t’i zhvillojnë brenda 15-ditëshit të parë të gushtit, pasi në gjysmën e dytë këtij muaj duhet të jenë në punë. Burime pranë Kryeministrit kanë konfirmuar urdhrin e mësipërm, ku duket se shkak për daljen e tij kanë qenë një sërë faktorësh që lidhen si me ritmet e punës në çdo dikaster, ashtu dhe me disa nevoja imediate që i lindin kësaj qeverie në kuadër të procesit integrues. Kështu, bëhet e ditur se Kryeministri është detyruar ta nxjerrë një urdhër të tillë pasi disa ministra (përfshi këtu edhe ndonjë nga ata që u emërua së fundi) kanë lënë vendet e tyre të punës dhe i janë përkushtuar familjeve të tyre dhe pushimeve, çka ka sjellë një shpërqendrim në administratën shtetërore, që varet direkt nga ata. Por jo vetëm kaq, të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky urdhër lidhet edhe me procesin e integrimit të vendit në BE. Siç dihet, në datën 8 tetor Komisioni Europian publikon progres-raportin e vlerësimit të punës për vendin tonë, në kuadër të këtij procesi integrues. Ndaj, për t’u paraqitur sa më mirë në këtë skaner, Kryeministri ka vlerësuar si të nevojshme që puna nëpër administratë të mos ulë ritmet e saj, ndaj ka kërkuar që krerët e dikastereve përkatëse të rikthehen menjëherë në punë. Megjithatë, ky urdhër duket se nuk ka vlerë për të gjithë ministrat, pasi, siç kemi parë në këto ditë vere, një pjesë e mirë e tyre kanë qenë prezent në detyrat e tyre. Këtu mund të përmendim ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi; atë të Brendshëm, Bujar Nishani; ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto; si dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Të gjithë këta ministra janë parë ditët e fundit në aktivitete publike që kanë organizuar në ministritë e tyre.
Kryeministri
Ndërkohë që edhe vetë kryeministri Sali Berisha ka pushuar këtë verë me ditë, kryesisht fundjavave pa ndërprerë aktivitetin e tij zyrtar në ditët e tjera të javës. Në fillim të gushtit ai u pa si gjithnjë në plazhin e Dhërmiut, ku siç njoftoi vetë Kryeministria ai theu rekordin e tij të qëndrimit në det. Më pas ai u kthye sërish në Tiranë, ku zhvilloi mbledhjen javore të qeverisë. Ndërkohë që gjatë javës së shkuar ai morri pjesë në një sërë përurimesh të punëve publike.