Rezultati për Tiranën, 3 ambasadorët, takim në zyrën e kryetarit të KQZ-së
Pas monitorimit “dorë më dorë” të procesit të numërimit në njësinë 5, tre ambasadorët kanë zbarkuar dje në zyrën e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, prej nga pritet tashmë certifikimi i rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, ai i Bashkimit Europian, Ettore Sequi dhe i OSBE-së, Eugen Wallfarth janë filmuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjatë një takimi të paralajmëruar me kryetarin e KQZ-së dhe nënkryetaren Dëshira Subashi. Edhe pse kanë munguar komentet për mediat, burime të MAPO-s bëjnë me dije se tre ambasadorët, të cilët kanë luajtur një rol aktiv në zgjedhjet e 8 Majit kanë shprehur interes që procesi i nxjerrjes së rezultatit të mbyllet sa më shpejt nga KQZ-ja. Gjatë takimit të pasdites së djeshme, ata janë njohur me procedurat ligjore për nxjerrjen e rezultatit të garës mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës si dhe me fazën ku ndodhet aktualisht ky proces. Edhe pse numërimi i kutisë së 485 për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka përfunduar mesditën e së shtunës, ende nuk ka një certifikim të rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari Arben Ristani ka shpjeguar për mediat se fituesi për Tiranën do të shpallet 48 orë pas mbërritjes së të gjitha tabelave të rezultateve nga 11 KZAZ-të. Nga ana tjetër, prania e ambasadorëve në KQZ vjen pas debateve tashmë të hapura mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste për fletët e votimit, që janë gjetur gabimisht në kutitë për kryetarët e minibashkive, por edhe pas apelit të përsëritur që vjen nga selia rozë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për një certifikim sa më të shpejtë të rezultatit për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. Zgjedhjet e 8 Majit dhe procesi i ngadaltë i numërimit të votave në Tiranë e ekspozoi aksionin diplomatik të tre ambasadorëve faqe gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët vlerësuan rolin e tyre garantues në mbarëvajtjen e procesit. Pas mbylljes së numërimit të votave, Arvizu, Sequi dhe Wallfarth përshëndetën procesin, duke pohuar se në Shqipëri kishte fituar demokracia. Në këtë linjë të qëndrimit të tyre të deritanishëm mund të lexohet edhe takimi i djeshëm me kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani dhe nënkryetaren Dëshira Subashi, në një kohë që të gjithë qytetarët e Tiranës janë në pritje të verdiktit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.