Këshilli i Tiranës, 9 kutitë e fundit mbajnë peng fituesin
Numërimi i nëntë kutive të fundit për Këshillin Bashkiak të Tiranës do të përcaktojë edhe lëvizjen e ekuilibrave politike, në favor të së djathtës apo të majtës. Bazuar mbi shifrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i majtë në Bashkinë e Tiranës ka arritur të grumbullojë 116784 vota ndërsa koalicioni i djathtë ka grumbulluar 117359 vota. Një numër prej 4114 votash rezultojnë të jetë hedhur për parti politike, që nuk bëjnë pjesë në asnjërin prej dy koalicioneve të mëdha. Teksa janë numëruar 476 kuti votimi, nga 485 për Këshillin Bashkiak, diferenca mes dy koalicioneve është 575 vota në avantazh të së djathtës. Në raportet aktuale, del se mazhorancën do ta ketë e djathta me 28 mandate, ndërsa të majtët do të përfaqësohen me 27 të tilla. Por numërimi i nëntë kutive të mbetura do të kërkonte që në secilën prej tyre të majtët të rikuperonin me një avantazh mesatarisht rreth 65 vota që të mund të kalojnë votat e koalicionit të djathtë. Nëse ndodh që koalicioni i majtë kalon në vota përpara të djathtit në përfundim të numërimit të këtyre kutive atëherë mazhorancën në Këshillin Bashkiak të Tiranës do ta merrte koalicioni i majtë që drejtohet prej Partisë Socialiste. Marrëdhëniet mes Këshillit Bashkiak dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës kanë qenë objekt i konflikteve dhe debateve politike që prej vitit 2008. Pas largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni opozitar, këshilltarët e kësaj partie u pozicionuan kundër në Këshill, duke bashkuar votat e demokratët. Ndryshimi i raporteve çoi në humbjen e shumicës së majtë në Këshillin Bashkiak dhe krijimin e pakicës bllokuese.
Pas zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007, koalicioni i majtë në të cilin bënin pjesë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, morën mandatin e kryetarit të bashkisë, por edhe shumicën në Këshillin Bashkiak. Dalja e LSI-së së Ilir Metës nga koalicioni opozitar dhe pozicionimi kundër Partisë Socialiste, çoi në bllokimin e vendimmarrjes në Këshill. Një reaksion zinxhir i kësaj natyre ndodhi në të gjitha këshillat bashkiak, ku votat dhe mandatet e LSI-së ishin përcaktues për kahun e shumicës vendimmarrëse. Bllokimi i Këshillit Bashkiak ishte një argument i përdorur nga Rama, në fushatën për zgjedhjet lokale të 8 majit. Rama u kërkoi qytetarëve që të jepnin një votë për të çliruar, sipas tij, Këshillin Bashkiak nga bllokimi që i bëri aleanca PD-LSI.