E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribashkimi familjar në Itali, tani duhet prova e ADN-së

Autori i Lajmit: red.
Komisioni i Çështjeve Kushtetuese të Dhomës së Deputetëve në Itali, vend ku numërohen rreth 500 mijë emigrantë shqiptarë, ka nisur të diskutojë çështjen e ribashkimit famijar.
Ka nisur kështu ecuria e diskutimit të dekretit legjislativ mbi ribashkimet familjare, i cili parashikon se mund të përdoret marrja e ADN-së në rastet kur mungon, apo nuk njihet dokumentacioni që provon lidhjet familjare, bëri të ditur, Drejtoria e Migrimit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Marrja e ADN-së që duhet të kryhet me shpenzime të të interesuarve, do të jetë kusht i pakapërcyeshëm për të marrë autorizimin për ribashkim familjar, në mungesë të dokumentacionit të duhur.
Dokumentacioni
Sipas dekretit nr. 334/04, (I hyrë në fuqi më parë), duke paraqitur disa dokumente, të gjithë emigrantët me dokumente të rregullta kanë mundësinë që të marrin në Itali të afërmit e tyre. Për të kërkuar bashkim familjar pranë Sportelit Unik për Emigracionin në Itali dokumentat që duhet të paraqiten në sportel duhet të jenë të legalizuara dhe të konfirmuara si të vlefshme, për qëllime të bashkimit familjar. Të interesuarit që kërkojnë bashkim familjar janë të ftuar të deklarojnë pranë Sportelit për Legalizim të Ambasadës ditën e takimit dhe të pajisen me formularin e bashkangjitur, të plotësuar në çdo pjesë dhe i firmosur mundësisht nga qytetari shqiptar që banon në Itali dhe që kërkon bashkimin familjar, e në rast pamundësie, i firmosur nga familjari që banon në Shqipëri dhe që duhet të kërkojë vizë për bashkim familjar. Ky formular duhet të jetë origjinal dhe duhet të jetë i shoqëruar me një kopje të lejes së qëndrimit në Itali të personit që kërkon bashkimin familjar si dhe me fotokopje të dokumenteve që do të vlerësohen.
Bashkimi me prindërit
Përsa i takon shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali, të cilët kërkojnë të bashkohen me prindërit e tyre të moshuar, procedura është disi më ndryshe. Kjo kategori duhet të ketë me vete një certifikatë familjare, nga e cila të rezultojnë të gjithë fëmijët e lindur nga martesa, edhe nëse ata janë në emigrim, fëmijët e martuar ose të ndarë nga familja. Gjithashtu, ata duhet të kenë me vete edhe një kopje të certifikatës familjare të lëshuar në bazë të regjistrit të viteve 1950–1974. Me anë të kësaj çertifikate ata vërtetojnë se janë anëtarë të së njëjtës familje dhe që prindërit e moshuar nuk kanë mënyrë tjetër jetese. Përveç këtyre, duhet dorëzuar edhe një kopje e lejes së qendrimit të fëmijës të tyre që jetojnë në Itali.

Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›