E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i vonuar për de- delijorgjizimin e shtetit

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë u përfshinë dje në një debat publik rreth urgjencës, me të cilën duhet të hetohen disa vendime gjyqësore që kanë favorizuar të akuzuarin formal të tragjedisë së Gërdecit, biznesmenin Mihal Delijorgji. Tre gjyqtarë të gjykatës së Durrësit dyshohet se kanë favorizuar biznesmenin në gjykimin e çështjes disa vite më parë, kur ai u burgos për evazion fiskal. Vendimi i KLD u pasua nga një hezitim publik i ministrit të Drejtësisë, dhe më pas sqarime banale procedurale, të cilat të lënë shije të hidhur. Është e qartë se në rastin e zotërinjve Alibeaj-Spahiu përplasja mund të jetë dhe çështje e protagonizmit institucional, por fakti që thirrjet për maturi vijnë nga ana e qeverisë, e cila është përgjegjëse për tolerimin që i ka bërë fenomenit ‘Delijorgji’, e shton vëmendjen ndaj kësaj përplasjeje, në dukje e parëndësishme.

Por fenomeni ‘Delijorgji’ nuk ka problem vetëm në mënyrën se si është trajtuar më parë nga drejtësia shqiptare, por mbi të gjitha dhe në mënyrën se si është trajtuar nga prokuroria ditët e para të tragjedisë së Gërdecit. Sipas të dhënave publike, mbi autorin formal të masakrës prangat u vendosën dy ditë pas tragjedisë, ndërkohë që sekuestrot mbi llogaritë e tij bankare u vendosën thuajse një javë më pas. Kjo kohë ka qenë e mjaftueshme që shumë gjëra të fshiheshin dhe miliona euro të transferoheshin prej llogarive të tij. Në raste shumë më banale aksidentesh “teknologjike”, siç ka qenë rasti i ndonjë aksidenti në punë, arrestimet janë kryer thuajse në flagrancë dhe bllokimi i llogarive ka ndodhur menjëherë. Ashtu siç kërkon hetim mbi ish-gjyqtarët që kanë toleruar Delijorgjin, KLD duhet që me të njëjtin përkushtim të hetojë ngërçin e prokurorisë në ditët e para pas Gërdecit dhe të zbardhë çfarë ndodhi ato ditë, kush e bllokoi sekuestrimin e menjëhershëm të pasurive dhe bllokimin e veprimeve financiare. Ky do të jetë një gjest që do të zhdukë shumë hamendje për mbështetjen politike ndaj fenomenit ‘Delijorgji’ ditët e para të tragjedisë dhe shpëtimin e milionave të fituara nga abuzimet prej tij dhe njerëzve afër tij.

Kështu që përpjekja për të bërë debat publik për procedurat rreth mënyrës se si është trajtuar fenomeni ‘Delijorgji’, nuk vlen për të fajësuar Alibeajn ose Ina Ramën, por për të reflektuar ndaj një fenomeni gangrenë në historinë e shtetit tonë, që është kapja e tij prej mafies. Rasti ‘Delijorgji’ është një kampion i shëmtuar laboratorik, ku shteti është i kapur nga koka te këmbët prej një mafiozi me lidhje politike. Në Gërdec janë rrëzuar të gjithë, taksat, tatimet, doganat, ushtria, policia, politika, institucionet zyrtare, gjykatat dhe prokuroria. De-delijorgjizimi i shtetit shqiptar tashmë është mision. E kuptoj që të gjithë mund të jemi të frikësuar nga fushata revanshiste, por tashmë që autoriteti i shtetit është përtokë dhe fenomeni ‘Delijorgji’ ka triumfuar mbi të, nuk ka vend për hezitime që vijnë nga fakti se shteti nuk është protagonist i këtij de-delijorgjizimi. Ministria e Drejtësisë duhet të ishte promotore e këtij aksioni. Ajo duhet të dërgonte realisht inspektim te çdo gjyqtar që ka patur punë me Mihal Delijorgjin që nga viti 1997, kur ai ka nisur tregtinë e hekurit, te konfliktet me armë që ka pasur me rivalë në jug të Shqipërisë, tek akuzat që i janë bërë për futje armësh nga Greqia në vitin 1997, te mënyra se si ka punuar më strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, te mënyra si ka investuar në biznesin e ndërtimit në Tiranë, te mënyra se si ka futur nën kthetra qeverinë e re të zotit Berisha dhe njerëzit e afërt të tij, te mënyra se si kishte kthyer në ushtarë të vet gjithë zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar në projektin e Gërdecit dhe, së fundi, te mënyra se si shteti hezitoi ta ndalonte atë dhe pasuritë e tij javën e parë pas tragjedisë. Iniciativa e KLD për tre gjyqtarët që kanë gjykuar Delijorgjin, është vetëm një pjesëz e aksionit që duhet bërë për të hetuar kapjen e shtetit prej tij dhe distancën që duhet krijuar pas kësaj. Është shumë pak që gjithë ky proces të ndalet te tre gjyqtarë dhe shumë turp që për këtë gjë kaq të pamjaftueshme të ketë dhe debate, dhe hezitime. Një shtet që nuk ka fuqi të ngrejë zërin për të hetuar kapjen e tij prej Delijorgjit, është një shtet që ka ende frikë nga hija e njeriut që është në qeli. Është një shtet që ka frikë nga heshtja dhe belbëzimi i tij. Dhe dikush duhet t’ia nxjerrë frikën këtij shteti. Natyrisht, ata nuk mund të jenë njerëzit që ia dorëzuan shtetin Delijorgjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›