Gjeneralët, në labirintin e korrupsionit politik
Ushtritë perëndimorë kanë një normë relative për të emëruar gjeneralët e tyre dhe kjo normë i referohet kontigjentit relativ prej katër deri në pesë mijë luftëtarëve. Kjo normë është edhe rregullatori i gradave madhore nëpër ushtritë perëndimore.
Por ç’ndodh aktualisht me ushtrinë e reformuar shqiptare? Po të numërosh gjeneralët shqiptarë, të krijohet ideja se ushtria shqiptare duhet të jetë me shifrat 100 mijëshe e jo 10 mijë e ca që është aktualisht. Raporti gjeneral-luftëtar sot është shumë disproporcional, aq sa është krijuar një raport qesharak, d.m.th., për çdo 800 luftëtarë ka një gjeneral.
Duke mos harruar kurrë që në ushtri ka pasur dhe ka kuadro ushtarakë të përkushtuar ndaj detyrës, me eksperienca e përvojë ushtarake, me pjesëmarrje nëpër misione si në Afganistan, Irak, Bosnjë, Gjeorgji etj., një pjesë e gjeneralëve të shfaqen herëpashere nëpër afera pilafi apo orizi, këpucësh ushtari, blerje veturash me tendera korruptivë, ndërsa së fundi, në aferat kriminale të Gërdecit.
Po nga na erdhën këta gjeneralë?
Më kujtohet në fillimin e viteve ’90, kur ushtria po rivendoste gradat, një oficer që ishte i sigurt që do të bëhej gjeneral, nxori nga sirtari një palë spaleta të gjeneralit rus, që i kishte porositur t’ia sillnin në zyrë, duke menduar se ashtu duhet të ishin spaletat e tij. Ky u bë gjeneral, por spaleta ruse nuk vuri dot, sepse duhej të merrte kthesën si demokrat i moderuar dhe të hiqej si dashamirës i Perëndimit e jo më i Lindjes. Me këta lloj tipa gjeneralësh nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse duhet kuptuar se ku u kultivuan këta lloj gjeneralësh. Brenda katër mureve të Shkollës së Bashkuar dhe Akademisë Ushtarake, ky tip gjenerali vegjetoi për shumë vite, ndërkohë që kolegët e tij sakrifikonin maleve me borë e acar. Por e keqja nuk është se ky lloj varieteti gjenerali ishte i vetëm si i tillë, mjafton të kujtojmë se edhe pasardhësit e tij vijnë po nga këto mure, veçse me një dëshirë të përbashkët e shumë të ethshme për të marrë yje gjenerali. Koha ka treguar se ushtria shqiptare ka patur më tepër gjeneralë të rritur me OMGJ sesa gjeneralë me karrierë të vërtetë ushtarake. Nga kapitenë të parë, për katër apo pesë vjet kanë vënë mbi shpatulla yje që një oficer karriere do t’i merrte për jo më pak se 15 apo 20 vjet shërbim në ushtri. Gjeneralët tanë i marrin gradat, sapo të ketë ndonjë festë qeveritare apo ndonjë lloj parade, gjë që e kanë shumë për qejf, duke krijuar imazhin se vijnë nga beteja të përgjakshme për stabilizimin e qytetërimit botëror.
Mendoj se ka ardhur koha të analizohet nëpër drejtoritë e famshme të menaxhimit të burimeve njerëzore apo edhe nga qeveritë tona, logjika e kolonelit Gaddafi. Po të kemi parasysh se ai mund të bëjë ç’të dojë me gradat e veta. Por jo rastësisht ai ka zgjedhur gradën kolonel dhe vetëm kolonel, sepse është i bindur se, për aq forca sa ka dhe për aq sa ndihet ushtarak, këtë gradë meriton dhe këtu s’ka asgjë për humor dhe paragjykime. ǒi duhen kaq shumë gjeneralë ushtrisë shqiptare, kur ajo është me një efektiv sa një batalion rezervist apo një brigade këmbësorie efektive?
Nuk e ndien veten qesharak e butaforik gjenerali i forcave ajrore, kur ai nuk ka asnjë “kaçator” për ta ngritur në ajër dhe ndërkohë ëndërron të përfitojë edhe ndonjë yll tjetër ? Nuk është qesharak fakti se gjenerali i quajtur admiral i forcave detare nuk ka në dispozicion as edhe një formacion sado të vogël luftarak detar apo anijesh të vogla luftarake dhe ndoshta ëndërron edhe ky të marrë ndonjë gradë akoma më të lartë?
Ka shumë raste e fakte qesharake të gradimeve të gjeneralëve tanë. Por të gjitha këto kanë qenë dhe mbeten në dëm të ushtarakëve të vërtetë dhe të modernizimit të ushtrisë. Në psikologjinë e oficerëve të qytetëruar dhe nëpër mjediset e tyre qarkullon bindja, jo ideja, se grada më e respektuar për ushtarakun është grada major. Me këtë ata duan të thonë se, te ylli i majorit qëndron merita e vërtetë dhe se ylli i gjeneralit mban erë. Ne kemi lexuar autorin amerikan “Ylli i gjeneralit”, por po shohim përditë se ky fenomen po merr përmasa edhe në ushtrinë shqiptare. Kurrikulumet e gjeneralëve, që vijnë nga hiçi, kanë filluar të bëhen masive. Nuk ekziston asnjë gjeneral që të ketë marrë pjesë apo të drejtojë ndonjë problem serioz kombëtar dhe mendimi i tij të bëhet prezent te qytetarët e tij. Nuk ekziston asnjë politikan, gazetar apo shkrimtar që të argumentojë mendimet e veta, duke iu referuar ndonjë mendimi apo ideje të shprehur nga ndonjë gjeneral, siç ndodh rëndom me Shalikasvilin, Klarkun, Shvarckopin, Pauellin etj.
Kjo ndodh, sepse gjeneralët shqiptarë nuk kanë mendime. Është pikërisht kjo gjë që ata i bën anonimë dhe pa asnjë vlerë përpara opinionit qytetar e të qytetëruar. Kush merakoset sot se Luan Hoxhën e shkarkuan nga detyra?....Asnjë. Luan Hoxha do të fitonte sado pak qytetari, në qoftë se në kohën e duhur do të jepte dorëheqjen dhe të mos fshihej pas Mediut. Por kjo nuk mund të ndodhë dhe as që mund të pritet nga një gjeneral që si oficer kam përshtypjen se nuk di të qëllojë as me patllake dhe jo më që të arrijë të formojë personalitet si qytetar i zgjedhur.
Kur flitet për figurën e gjeneralit, duhet kuptuar se reforma në ushtri kërkon emancipim shoqëror, ku figura e ushtarakut e në mënyrë të veçantë ajo e gjeneralit duhet të fitojë qytetarinë si oficer elite e jo si oficer që shkarravitet e jargavitet për të gjetur lidhje te kryetarët e partive apo njëshat e qeverisë dhe e gjithë kjo vetëm e vetëm për të përfituar ndonjë yll. Çfarë përshtypjeje krijonte te qytetarët gjenerali Karol, kur rinte prapa djaloshit Majko dhe i ngazëllyer i tregonte punimet e bëra nga ata në rrugën e Llogorasë?
Akoma kujtohen kronikat televizive, kur gjeneral Pëllumbi rrinte prapa Majkos në rreshtimin e trupave ushtarake, në vend që Majko të shikonte si inspektonte Pëllumbi.
Rasti i fundit dhe që nuk është i vetmi dhe i shkëputur, pra rasti i Hoxhës, i cili në të gjithë këtë tragjedi të ndodhur nga materialet që ushtria përdor, tregon bindshëm se vetëm një gjeneral i krijuar nga laboratorët e politikës nuk ka kurajën jo më ushtarake, por as edhe si qytetar i rëndomtë, që të mbajë përgjegjësi mbi vete. Pak rëndësi ka se nëpër çfarë rruge do të operojë drejtësia, e rëndësishme është përgjegjësia ushtarake që u vranë 26 qytetarë dhe u plagosën 300 të tjerë, pikërisht me mjetet që të ka blerë dhe besuar shoqëria për administrim dhe që kjo shoqëri të quan gjeneral. Të fshihesh pas Mediut në këto raste, me keqardhje dhe jo për të qeshur mund të quhet si të fshihesh pas “gaxhoit”.
Të luftosh të mbash yje të pamerituara, të stolisesh me lulka pa fund si çinginetë, të mbushësh supin me aq shumë lulka për të thënë se ke katër dhe jo dy yje, duke shtuar mbi spaletë një kopsë e një kazmë e lopatë të kryqëzuar, nuk do të thotë se je njëshi. Pompoziteti për pamjen e jashtme, demonstrimi i fodullëkut nëpërmjet lustrës së jashtme injorojnë dhe kompromentojnë keqas figurën e të qenit gjeneral. Populli ynë jo vetëm që është i zgjuar nga natyra, por është emancipuar së tepërmi këto vite dhe jo vetëm që nuk habitet shumë nga lulkat që mban tashmë një gjeneral, por i sheh ato tashmë me qesëndi. Prandaj, ka ardhur koha që gjenerali duhet të jetë një figurë e merituar qytetare dhe me fizionomi të mirëfilltë ushtarake. Është për të ardhur keq që gjeneralët dhe për më keq akoma shefat e shtabeve të përgjithshëm, në më të shumtën e rasteve, nuk janë asgjë më shumë sesa shtojca të ministrit civil, i cili gjen shesh e bën përshesh në ushtri. Gjeneralët pa personalitet qytetar e ushtarak, nuk dua të flas për atë individual, nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë në gjendje të krijojnë kushte të favorshme për një reformë moderne e bashkëkohore.
Shkarkimi i Hoxhës në masën qytetare është parë me indiferentizëm, pothuajse si problem inekzistent, ndërsa në ambientet ushtarake është quajtur si një normalitet që ndoshta duhej të ndodhte më parë. Dhe kjo e ka arsyen, sepse ushtarakët nuk e kanë parë kurrë shefin e tyre si lider ushtarak, por si një njeri që i ra lotaria e politikës që të bëhet shef i madh.
Tragjedia e Gërdecit ishte si dopio gjashta, kur ngelet në dorë dhe të gjithë ushtarakët dhe ish-ushtarakët e dinin shumë mirë sesi kanë bashkëpunuar shefat e shtabeve me ministrat e tyre për të vjedhur dhe abuzuar me pasuritë kombëtare që administron ushtria. Të gjithë e dinë se Pinari e ka patur zyrën poshtë Hoxhës dhe se pushteti i Pinarit ishte shumë më i madh sesa pushteti i Hoxhës. Nuk duhet harruar se Pinari është fatkeqësisht shumë inteligjent dhe me rrethe miqsh të krijuar prej kohe, gjë që e bënte superior ndaj Hoxhës që mburrej vetëm me lulkat e supeve, por gjeneralët shefa e kanë ditur dhe e dinin shumë mirë se me pasuritë kombëtarë te ushtrisë abuzohej rregullisht. Dhe këta që duhet të marrin nesër në dorë fatin dhe jetën e shumë burrave luftëtarë, nuk e ngritën kurrë zërin për t’i thënë ndal këtyre vjedhjeve shumë të përfolura në media e kudo. Njerëz të thjeshtë kanë denoncuar abuzimet me mineralet e rralla të armatimeve që bënte Majko me stafin e vet dhe asnjë shef gjeneral nuk ka patur kurajën qoftë edhe civile për të thënë fjalën e tij, por, përkundrazi, janë bërë bashkautorë në abuzime.
Ushtria shqiptare dhe populli shqiptar ka patur dhe ka rastin më të mirë që të ketë një aleat strategjik shumë të fuqishëm, siç është SHBA. SHBA, nëpërmjet Pentagonit, krijoi kushtet që nëpërmjet projekteve për neutralizimin e municioneve, të ndihmonte financiarisht në radhë të parë popullin shqiptar dhe më pas ushtrinë shqiptare për të ecur përpara në rrugën e reformimit dhe modernizimit. Pentagoni nuk mund të financojë një ushtri tjetër, sepse atje funksionon demokracia, prandaj u vu në funksionim ndihma e ndërmjetme nëpërmjet programeve humanitare të çmilitarizimit. 300 milionë dollarët kanë qenë të destinuara për të ruajtur jetën e qytetarëve shqiptarë nga municionet vdekjeprurëse dhe me to të modernizohej ushtria, duke u distancuar përfundimisht nga kallashnikovi. Kjo shumë ishte më se e mjaftueshme për të përmirësuar nivelin e jetesës së ushtarakëve, për teknologji dhe armatim bashkëkohor dhe për të zgjidhur përfundimisht problemet sociale rrogat e ushtarakëve dhe pensionet e ish-ushtarakëve.
Por këto pará duhej t’i menaxhonte Pinari, sepse gjenerali ynë mjaftohej me faktin që makina e tij kishte naftë, celularin ia paguante shteti, lulkat ia blinte po shteti. A mund të quhet gjeneral një ushtarak i tillë që hesht dhe pret se kush do ta hajë i pari, kur paratë e destinuara për të shpëtuar jetë njerëzish jo vetëm që nuk ndihmuan ushtrinë, por krijuan vetëm viktima?! Atëherë, për çfarë duhet një gjeneral i tillë? Për çfarë i duhet ushtrisë një tip i tillë gjenerali?
Kur flasim për gjeneralët, lexuesi duhet të kuptojë se grada gjeneral ka katër yje. Këta që ne po i përflasim, nuk kanë më tepër se një apo dy yje, por që pëlqejnë shumë t’iu drejtohesh me gradën gjeneral, sepse kanë shumë qejf të kenë katër yje. Ushtria shqiptare nuk ka nevojë për yje, por për ushtarakë të vërtetë që e duan Atdheun e tyre dhe që duhet të jenë të devotshëm të japin në rast nevoje edhe jetën. Ushtarakë të tillë, të nderuar e të respektuar, ushtria jonë ka me qindra, por gjeneralët që kanë marrë pjesë me ministrat e tyre në ngrënien e pilafit të ushtarëve, jo vetëm që kanë dëmtuar ushtrinë dhe imazhin e ushtarakëve, por kanë lënë në harresë pikërisht ushtarakët e përkushtuar.
*Ish-ushtarak