Rienergjizimi, Rama mbledh drejtuesit politikë të qarqeve: Fuqizimi i PS, domosdoshmëri

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të martë (19 mars) drejtuesit politikë të qarqeve. Rama në një deklaratë për media pas takimit me drejtuesit politik të qarqeve, ka deklaruar se në fokus të kësaj mbledhja ishte rienergjizimi i PS-së dhe anëtarësimet e reja. Rama theksoi se është domosdoshmëri fuqizimi i PS-së, si e vetmja forcë politike në Shqipëri.
“Ne bëjmë takime të rregullta sepse jemi në një proces shumë të rëndësishëm dhe të thellë për rienergjizimin e të gjithë qelizave bazë të PS dhe për vazhdimin e hapjes së partisë për anëtarësime të reja.
Ndërkohë që është domosdoshmëri përcjellja e mesazheve te të gjithë komunitetet, shqiptarët që e kanë votuar ose jo PS-në, që është e domosdoshme që të fuqizojmë PS sepse është e vetmja forcë politike në Shqipëri që ka alternativë qeverisëse, aftësi qeverisëse dhe përgjegjësinë reale për ecurinë e procesit të anëtarësimit.
Objektivi ynë është që Shqipëria 2030 të ngjitet në atë majë pa mundësi kthimi mbrapa”, deklaroi Rama.
Mbledhja e sotme vjen pak ditë pas Asamblesë së Partisë Socialiste, ku kryeministri kërkoi më shumë punë për rigjallërimin e PS, ndërsa vendosi objektiva për socialistët që të arrijnë deri në 50 mijë anëtarësime të reja deri në 12 qershor 2024, kur dhe do të mbahet Kongresi i Jashtëzakonshëm i kësaj force politike.
Partia Socialiste do i nënshtrohet riorganizimit dhe rienergjizimit të saj dhe më 12 do të zhvillojë zgjedhjet e brendshme me parimin “1 anëtar, 1 votë”.
/rtsh.al/