Ries: Do monitorojmë zgjedhjet në Shqipëri
22/11/2004 Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marsie Ries, ka zhvilluar dje një takim pune me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Gjatë bisedës, Ries është shprehur se SHBA do të japë kontributin e vet për transparencë në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Meta e informoi ambasadoren Reis për zhvillimet që sollën në daljen e LSI-së si forcë e re politike, me mentalitet të ri e vizion për të ardhmen e vendit. Ai u shpreh se LSI është e vendosur të luftojë për të eliminuar monopolet, korrupsionin e gjithë fenomenet negative që kanë lënë vendin në stanjacion dhe kanë çuar procesin e integrimit të vendit në fazë kritike. "LSI ka vizionin dhe kapacitetin e nevojshëm për të realizuar një qeverisje ndryshe, në funksion të interesave të vendit dhe të qytetarëve", tha Meta. Më pas ai e njohu Reis me prioritetet programore të LSI-së dhe tiparet statutore të saj, si dhe me shtrirjen e saj në të gjithë vendin. Duke folur për situatën aktuale në vend, Meta u ndal në problemet e zhvillimit ekonomik të vendit, ku theksoi se si rezultat i keqqeverisjes, monopoleve që kanë mbërthyer ekonominë, dhe dështimit në zbatimin e programeve dhe politikave të zhvillimit të vendit sot, konstatojmë një rritje të prekshme të varfërisë dhe rënie në cilësinë e jetesës së qytetarëve. Meta dhe Reis u ndalën në problematikën e përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Ambasadorja amerikane, Reis, shprehu angazhimin e saj të plotë dhe të SHBA-së për të asistuar për një proces transparent të zgjedhjeve, të cilat janë përcaktuese për të ardhmen e integrimit të vendit.