E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riformatimi, largohen tre ministra

Nga Express më 02 shtator 2011 në ora 09:12

Kryeministri Thaçi pritet të riformatojë Qeverinë deri në fund të muajit. Besim Beqaj dhe Enver Hoxhaj janë përmendur nga burime të afërta me kreun e Qeverisë si ministra që mund të largohen.

Arsyeja për largimin sipas tyre, mund të kërkohet pjesërisht edhe tek konflikti në të cilin këta dy kanë rënë me Behgjet Pacollin. Rasti ndryshe është me ministrin Ramë Buja.

Që në fillim të mandatit Thaçi ia kishte premtuar Pacollit Ministrinë e Arsimit, ani se ai tash e do Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, shkruan Koha Ditore.

Riformatimi i paralajmëruar i Qeverisë sipas kësaj gazete ka gjasa që të largoj ministrin Beqaj përderisa ministër mund të mos jetë as Enver Hoxhaj që deri me tani ka udhëhequr Ministrinë e Jashtme.

Sipas një burimi të Kohës Ditore, Besim Beqaj është personi më i rrezikuar që mund të largohet, pasi që ministri i ekonomisë ka një konflikt të hapur me zëvendëskryeministrin e parë, Pacolli, që lidhet me sektorin që ai e udhëheq, e për të cilin kreu i AKR-së është më së i interesuar. Për këtë ka folur publikisht edhe Pacolli.

“Beqaj pothuajse e ka të sigurt largimin”, thotë burimi i KD-së.

Pacolli thuhet se është bërë shkak që pozita ti lëkundet edhe ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj. “Edhe Hoxhaj është ankuar vazhdimisht për shkak të Pacollit, duke pretenduar se ky po i ndërhyn në punën e shefit të diplomacisë , dhe kjo me kohë ka shkaktuar një kundërreagim të pafavorshëm të Thaçi”, ka thënë tutje burimi.

Pos këtyre dy ministrave në listë për t’u larguar është edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.

Buja, sipas këtij burimi, pritet që të zëvendësohet me një ministër të AKR-së, pasi që kjo parti është e interesuar për këtë parti dhe pritet që atë ta udhëheq nënkryetari i AKR-së dhe Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›