Rigjallërohen shpresat për bondet shqiptare
Interesat e bondeve të qeverisë greke u ulën dje me rritëm marramendës, gjë që solli rritjen e shpresave për shitjen e bondeve në euro të qeverisë shqiptare. Ministria e Financave po priste pikërisht këtë gjë për të emetuar bondet e para sovrane të Shqipërisë. Një zyrtar i qeverisë bëri të ditur se bondet do të fillojnë të shiten këtë javë, ose maksimumi javën e ardhshme. Qeveria dëshiron të tërheqë deri në 400 milionë euro nga tregjet ndërkombëtare përmes shitjes së titujve të borxheve me vlerë minimale 50 mijë euro, të cilat shtohen me shumëfisha të 1 mijë eurove dhe që do të kenë vlerë maksimale 99 mijë euro. Blerësit do të mund t’i rishesin këto bonde në tregun ndërkombëtar. Dy banka ndërkombëtare kanë kryer reklamimin e bondeve shqiptare, të cilat sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të shiten për interesa jo më të larta se 7.5 për qind. Bondet qenë programuar të fillonin të shiteshin në fund të prillit, por vendimi u shty për shkak të destabilitetit të tregut financiar ndërkombëtar, ku interesat e borxhit grek arritën deri në 12-15 për qind, gjë që e bëri të pamundur shitjen e bondeve tona.
GreqiaBashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar krijuan dje një fond emergjence me vlerë 750 miliardë euro, për t’i siguruar investitorët se kanë ndër mend të bëjnë gjithçka që është e mundshme për të ruajtur stabilitetin e euros. Këto para do të jepen nga vendet e pasura të veriut, si kredi ndërshtetërore për vendet e varfra të jugut të kontinentit. Në këtë mënyrë, kostoja e krizës së Greqisë do t’u kalohet taksapaguesve të veriut. Si pasojë e krijimit të këtij fondi, euro fitoi 3 cent brenda një dite kundrejt dollarit dhe dje shitej për 1.3 dollarë. Bondet dhjetëvjeçare të Greqisë pësuan rënie në interesa prej 750 pikësh bazë dhe u shkëmbyen për 6.71 për qind (100 pikë bazë janë të barabarta me 1 për qind.) Bondet dyvjeçare të emetuara nga Athina u ulën me 1269 pikë bazë dhe u shitën dje për 5.48 për qind.
Kursi i këmbimitNë tregun shqiptar, stabilizimi i euros u shfaq me shtrenjtimin e saj me 23 cent kundrejt lekut, ndërkohë që dollari humbi 2.41 lekë ose 2.3 për qind, duke shënuar një nga lëvizjet më të forta të regjistruara ndonjëherë. Euro kushtoi dje 136.5 lekë, ndërsa dollari kushtoi 104.58 lekë sipas kursit mesatar të mesditës që publikohet nga Banka e Shqipërisë.
Efekti te bondet shqiptareMinistria e Financave dëshiron të emetojë bonde tre dhe pesëvjeçare me interes maksimal të pranueshëm prej 7.5 për qind. Për shkak se interesat e bondeve greke janë më të ulëta, qeveria shqiptare mund të shpresojë se do të jetë konkurruese. Megjithatë, asgjë nuk është ende e sigurt, pasi efektet e krijimit të fondit të emergjencës nga BE dhe FMN nuk janë shfaqur ende në tregun e bondeve të vendeve në zhvillim si Shqipëria. Para se të fillonte kriza, shumë banka dhe menaxherë fondesh qenë interesuar për blerjen e bondeve shqiptare, të cilat shpresonin se do të mund t’i shisnin në tregun sekondar. Për shkak se shqiptarët nuk kanë akses ndaj produkteve financiare të botës sot si bondet sovrane, disa ekspertë besojnë se blerësit me shumicë të bondeve do ta kenë të lehtë të marrin nga qeveria 7 apo 7.5 për qind dhe t’ua rishesin kursimtarëve të mesëm me 5 apo 6 për qind.
Qeveria do të përdorë gjysmën e parave të tërhequra përmes bondeve për shlyerjen e një kredie të shtrenjtë që mori në kulm të krizës botërore një vit më parë, interesi i së cilës është rreth 11 për qind. Gjysma tjetër do të përdoret për të mbuluar shpenzimet buxhetore të këtij viti.
#