E Diel, 1 Nëntor 2026

Blloshmi, Nela, Pipa, Nderi i Kombit për shkrimtarët që vuajtën diktaturën

Dekorimet

Ekspozita fotografike e titulluar “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave”, organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, mblodhi dje personalitete të rëndësishme të vendit, por edhe të huaj. I pranishëm në përurimin e kësaj ekspozite kushtuar shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë nga diktatura (1944-1991), ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Familjarët, miqtë e të afërmit e viktimave të diktaturës, ambasadori amerikan në Tiranë John ëithers, ambasadorja franceze Mariz Davje, ajo e Republikës së çekisë, Marketa Fialkova etj., përmes fotografive të ekspozuara panë të dëshmuara sakrificën dhe vetëflijimin e këtyre martirëve, të cilët, mbi gjithçka, vunë idealin dhe ëndrrën e përjetshme për liri dhe demokraci. Në shenjë nderimi, respekti, vlerësimi për kontributin e tyre, Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) avokat Muzafer Pipën me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”, poetët Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela me motivacionin: “Për qëndresën dhe papajtueshmërinë e paepur me sistemin e diktaturës komuniste, për dashurinë për fjalën e lirë, deri në flijim”. Më tej Topi u shpreh se kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. “Ajo na thotë se aty ku ishte burgu, aty ku ishin telat me gjemba, aty ku ishin torturat, aty ky përballej vdekja - aty ishte atdheu. Aty ishte At Vinçens Prendushi, Myzafer Pipa, Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Arshi Pipa, Pjetër Arbnori, e mbi 150 shkrimtarë, përkthyes e artistë të tjerë të dënuar për fajin e vetëm se deshën fjalën e lirë!”, vijoi ai. Në emër të poetit të vrarë Havzi Nela, Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” e mori bashkëshortja e tij, zonja Nela. Në emër të të ndjerit Vilson Blloshmi, e mori Bedri Blloshmi, i vëllai, ndërsa Genc Lekës, e bija. E motra e Myzafer Pipës, Nedret Kalakulla, e mori në emër të vëllait të saj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›