Ekspertët: Çmimet e apartamenteve kanë rënë
Banka e Shqipërisë njoftoi pak ditë më parë se çmimet e apartamenteve në vend janë rritur me 15.8 për qind në krahasim me një vit më parë, por agjencitë e ndërmjetësimit në shit-blerjen e pronave të patundshme, si dhe ekspertët e industrisë së ndërtimit, mendojnë se metodologjia e përdorur nga BSH është e gabuar dhe se çmimet në vend kanë pësuar ulje në krahasim me një vit më parë. BSH grumbullon njoftimet e shitjeve të apartamenteve nëpër gazeta, i konverton çmimet nga euro në lekë dhe pastaj vlerëson se si ka ndryshuar çmimi në qytetin e Tiranës. Vetë banka pranon kufizimet e metodologjisë së saj, e cila duket se mat më së shumti çmimin me të cilin shitësit dëshironin të shisnin, por jo çmimin real të transaksionit.
“është e vërtetë se shumë ndërtues ende reklamojnë çmime të larta, me shpresë se në këtë mënyrë do të ndalin rënien e çmimeve, por kur një klient real troket në derë, natyrisht që çmimet negociohen dhe gjatë kohëve të fundit, uljet kanë qenë gjithnjë e më bujare”, thotë eksperti i një agjencie ndërmjetësimi. “Natyrisht, pronarët individualë që rishesin apartamentin për herë të dytë, parapëlqejnë ta mbajnë pa shitur më mirë, se sa të ulin çmimet”, vijon eksperti.
Apartamentet shiten në shumicën dërrmuese në euro në Shqipëri, për shkak se lëndët e para blihen përgjithësisht në këtë monedhë, kreditë për shtëpi jepen masivisht në euro dhe një pjesë e tregut mbahet nga emigrantët, të cilët paguajnë në euro.
Shoqata e Ndërtuesve është ankuar vazhdimisht gjatë vitit të fundit për rënie drastike të kërkesës në treg, gjë që ka sjellë në shumë raste bllokim të punimeve në pallatet në ndërtim. Vetë BSH thotë se “vlera e shtuar e gjeneruar prej sektorit të ndërtimit shënoi një rënie vjetore prej rreth 14.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2009”. Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në të gjithë vendin u ul ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, ndërsa kreditë për shtëpi, të cilat furnizojnë pjesën dërrmuese të kërkesës në treg, u bllokuan për më shumë se një vit. Vetëm gjatë muajit të fundit, bankat kanë filluar t’i rikthehen kreditimit, duke nisur fushata publicitare në kërkim të kandidatëve për blerje apartamentesh.
#