E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet kinema “Agimi”

“Tron Legacy”, një prodhim i “Walt Disney”, është konsideruar si filmi më i pritur i vitit sipas parashikimeve të kritikëve të filmit, i krahasueshëm me “Avatarin”. Kinema “Agimi”, kinemaja me një histori mbi 50-vjeçare, do të jetë e dyta sallë në teknologjinë 3D. Në fakt, projekti për rikonstruksionin e kinemasë, i shpallur fitues në një tender të organizuar nga Bashkia e Tiranës, përveçse funksionit të godinës, ka ruajtur thuajse të paprekur strukturën e kinemasë së vjetër.

Madje edhe emri do të mbetet i njëjti, një zgjedhje e diktuar ndoshta nga popullariteti i kësaj kinemaje. I hartuar nga firma gjermane “Cineprojekt”, rikonstruksioni i kinema “Agimi” ka përfshirë mbi 200 arkitektë, punonjës, specialistë e teknikë. Pjesa e saj e brendshme ndryshon nga dita në ditë. Kolonat anësore janë lyer, platformat e karrigeve janë gati dhe skeleti i ekranit po ashtu. Gjithçka e bërë në një muaj.

Nëse kthehemi vite pas, kinema “Agimi” ka pasur një histori të lavdishme. Deri në vitin 1961, e gjendur në një zonë ku banonin familjet e sovjetikëve që punonin në Shqipëri, mbiquhej “kinemaja e sovjetikëve”. Ata që sot janë në moshën e tretë tregojnë se në dyert e kësaj kinemaje mbahej radhë për të hyrë. Me ndërrimin e regjimit, ashtu si për shumë kinema të tjera edhe për “Agimin” mbaroi koha e shkëlqimit.

Ndonëse një risk ekonomik, “Agimi” do të kthehet me funksionin e saj të dikurshëm, por e ardhur në kohë. Është investuar sidomos për parametrat e izolimit. E ndodhur në mes të një lagjeje, ku poshtë saj ka aktivitete tregtare dhe mbi tavanin e saj banojnë familje, ndotja akustike do të jetë zero. Salla do të ketë 116 vende, nga i pari tek i fundit të shfrytëzueshme për sa i përket këndit të shikimit apo rehatisë. Në fakt, kapaciteti normal duhet të ishte rreth 170-180 karrige, por investuesit kanë preferuar më mirë komoditet sesa kapacitet.

Nga ana tjetër, “Agimi” do të jetë e vetmja kinema që do të qëndrojë e hapur deri në orët e para të mëngjesit. Kinemaja do të jetë rreth 18 orë e hapur. Për herë të parë do të shërbejë edhe kinemaja e orës së vonë. Do të shfaqen filma të studiove më në zë të Hollivudit, por edhe seanca që vijojnë pas mesnate e që shkojnë deri në orët e para të mëngjesit. Kjo kinema do të sjellë në kohë reale filmat më të rinj: “Pirati i Karaibeve 4”, “Misioni i Pamundur”, “Iron Man”, “Harry Potter 7”, e shumë tituj të tjerë.

                                                                                             2010-12-21 14:29
  [ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›