E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike në udhëkryq!

Teksa shpresat ishin shtuar pas lëshimeve të opozitës nga kërkesat e saj si dhe premtimeve të maxhorancës nga ana tjetër, gjithçka u venit sërish këtë të hënë.

Demokratët rrëzuan sot në Komisionin e Ligjeve draftin e socialistëve për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar. Opozita braktisi mbledhjen dhe demokratët dhanë kartonët e tyre pro “rrëzimit” të draftit.

Relacioni i përgatitur nga deputeti i maxhorancës, Viktor Gumi, theksonte midis të tjerash se tre propozime të PS-së, janë antikushtetuese. Sipas relatorit demokrat, i cili ka analizuar të gjitha pikat e propozuara, theksohet se ato nuk përputhen me ligjet dhe me të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Mbështetur në analizë, projektvendimi ka defekte në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit, të moscënimit me organet e tjera dhe përcaktimit të racionalitetit të Kuvendit. Pikat 2, 3 dhe 4 duhet të riformulohen”, ka deklaruar Gumi.

 Para se të braktiste komisionin, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, ka sqaruar se ku përqendrohen kërkesat e opozitës, duke përmendur këtu dyshimet e ngritura nga partitë politike që lidhen me listat e zgjedhësve, dyshimet mbi shpërndarjen e kartave të identitetit, etj.

“Ajo që do të duhej të bëhej sot ishte hapja rrugë këtij procesi, për të cilin kemi rënë dakord, për të cilin jeni shprehur zyrtarisht edhe me shkrim dhe keni garantuar partnerët ndërkombëtarë. Dhe kjo është një gjë e rëndë. Ju nuk mund të silleni as me demokracinë, as me parlamentarizëm”, ka deklaruar Xhafa.  Ai akuzoi maxhorancën se nuk dëshiron të zgjidhë krizën politike në vend.

“Maxhoranca dëshmoi se nuk e do transparencën e zgjedhjeve dhe as zgjedhjet e lira e të ndershme dhe në të njëjtën mënyrë ajo do t'i fitojë dhe zgjedhjet e ardhshme të 2011-s", u shpreh Xhafaj, dhe pas kësaj deklarate, socialistët në komision u larguan nga mbledhja.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, u shpreh se opozita duke lexuar relacionin e deputetit Gumi, kishte mundësi të bënte modifikimet e nevojshme dhe t’i hapte rrugë hetimit të zgjedhjeve. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-20 15:33
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›