Ruli abuzime me kontratat e kromit
Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, pak para se të lërë detyrën ka toleruar me “kokën” e tij, koncesionarin austriak, “ACR”, pa vënë në dijeni institucionet kompetente. Kontrata që quhet të kalonte më parë te Kuvendi i Shqipërisë është ndryshuar nga ministri i atëhershëm, Ruli, duke rishikuar afatet e investimeve, pa dijeninë e ligjvënësve, ndërsa veprimi i dytë lidhet me tolerimin që iu bë kompanisë lidhur me pagesën e penalizimeve, kompetencë kjo e ministrit të Financave, Bode. Pra, dy “bingo” në fund të mandatit si ministër i Ekonomisë, e vendosin Rulin (sot ministër Bujqësie) përpara një dëmi ekonomik prej të paktën 3 milionë eurosh.
FillimiShenjat e para që koncesioni nuk i kishte “letrat” në rregull u dhanë nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili kishte rreth 2 muaj që kishte marrë detyrën. Në muajin nëntor, ministri Prifti paralajmëroi ACR-në (dikur DARFO) për sanksionet, pasi nuk kishte përmbushur detyrimet. “Ministri Prifti i lajmëroi sindikalistët se ka nisur procedurat për heqjen e koncesionit ndaj kompanisë “ACR””, deklaroi kohë më parë Matilda Merxhani, zëdhënëse e ish-ministrit Dritan Prifti. I pyetur nga “Shqip”, Prifti tha dje, se kompania austriake nuk ka përmbushur detyrimet sa u takon investimeve dhe se nuk ka bërë asgjë konkrete për të përmirësuar gjendjen në ish-ndërmarrjet shtetërore të marra nga austriakët me koncesion. Por nisma e ish-ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, për të anuluar kontratën koncesionare më të rëndësishme të minierave në vend, atë të Bulqizës, përbën majën e ajsbergut të një procesi kaotik dhe me dështime.
Shkelja I, kontrataKoncesioni i parë që u dha ishte në vitin 2001. Fillimisht ishte kompania italiane “DARFO”. Por, pas disa vitesh, ku vetëm shfrytëzoi rezervat pa bërë asnjë investim, “DARFO” e shiti koncesionin te një tjetër kompani e huaj, austriakes “ACR”.
Dhe historia duket se përsëritet. Koncesioni i votuar në Kuvend, detyronte qartë “ACR”-në që deri në fund të vitit 2010 duhet të kishte investuar të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë.
Por programi i investimeve nuk u zbatua. “Top Channel” zotëron një dokument zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë, ku ish-ministri Genc Ruli, pak ditë para se të lërë detyrën e tij në vitin 2009, ndryshon programin e investimeve të minierës së kromit, pa e kaluar marrëveshjen në Kuvend.
E gjitha ndodhi vetëm në dy ditë. Në datën 7 korrik të vitit 2009, siç duket në dokument, kompania “ACR” i drejtohet zyrtarisht ministrisë, duke kërkuar shtyrjen e afatit të investimeve.
Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Ruli firmos marrëveshjen duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas marrëveshjes investimet duhet të ishin kryer sakaq. Ndërkohë, në minierë dhjetëra punëtorë humbnin jetën.
Shkelja II, penalizimetPor ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli rrit dozën e lehtësive për kompaninë. Në të njëjtin dokument, Ministria e Ekonomisë jo vetëm që toleron kompaninë t’i shlyejë me këste penalitetet prej 1.6 milionë eurosh për mosrealizimin e investimeve, por e lidh shlyerjen e tyre me rimbursimin e TVSH-së (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar) nga tatimet, duke marrë përsipër kompetenca të ministrit të Financave dhe Kuvendit.
Pak muaj më vonë, ministri pasardhës i Rulit, Dritan Prifti, tentoi të anulonte koncesionin duke e quajtur marrëveshjen zyrtarisht të dështuar. “Asnjë nga kriteret e kontratës koncesionare për 7 vjet nuk është plotësuar”, deklaroi zëdhënësja e tij.
Por koncesioni nuk u hoq. Industria e kromit, zëri kryesor i eksporteve shqiptare, që kanë arritur deri në 300 milionë dollarë në vit, vijon të mbetet në kaos. Ku ca kompani private, të përzgjedhura nga qeveritë, shfrytëzojnë rezervat, marrin të ardhura, por nuk bëjnë investime.
Hetimet, pezullGrupi i posaçëm për shqyrtimin e dosjeve ka vijuar punën edhe pas largimit të ministrit Prifti nga detyra. Tashmë i mbetet ministrit aktual të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, ta çojë deri në fund procesin e nisur për verifikimin e rishikimit të kontratës së koncesionit. Vetë Meta është shprehur se do të jetë i hapur dhe transparent me publikun për çdo marrëveshje të lidhur nga Ministria e Ekonomisë me operatorët ekonomikë privatë.