E Diel, 1 Nëntor 2026

Luka Toni: “Nuk besoja se do të shënoja kaq shumë”



Në sezonin e parë me Bajernin e Munihut, sulmuesi italian ka shënuar deri tani 36 gola dhe arriti të fitojë “Das Double”: titullin kampion dhe Kupën e Gjermanisë. Në një intervistë për faqen gjermane Ëelt Online, sulmuesi 30-vjeçar i Kombëtares italiane kërkoi për sezonin e ri mbërritjen e yjeve të rinj. “Qëllimi ynë kryesor ishte titulli i Bundesligës. Ne arritëm atë. Kryesuam që nga fillimi i sezonit. Ne fituam edhe Kupën e Gjermanisë dhe të Ligës. Ne fituam tre nga katër trofetë e mundshëm. Kjo dëshmon se luajtëm një sezon të shkëlqyer”, - tha Toni. Bajerni dështoi në Kupën UEFA pas humbjes së turpshme 4-0 me Zenitin në ST. Petërsburg. “Më vjen me të vërtetë keq, pasi i dhamë lamtumirën në aktivitetet ndërkombëtare me një ndeshje të keqe”. Toni shënoi 36 gola në të gjitha kompeticionet, një rekord ekipor për një debutues te Bajerni. “Kur unë erdha verën e kaluar të Bajerni, nuk e kisha llogaritur se do të shënoj kaq shumë gola. Por, kuotat tregojnë se ka qenë një sezon i mbarë”, - shpjegon Luka. Te Bajerni do të largohet trajneri Hitzfeld dhe do të vijë Jurgen Klinsmani. Toni thotë: “Otmar Hitzfeld ishte një trajner shumë i mirë, para së gjithash shumë njerëzor dhe plot cilësi. Jurgen Klinsman do të sjellë metoda të tjera dhe një tjetër përgatitje. Do të jetë me siguri një ndërrim interesant”.
Luka do të luajë sezonin e ardhshëm për herë të parë në Ligën e Kampioneve. Si janë shanset e Bajernit? Toni është i bindur: “Natyrisht që ne dëshirojmë të shkojmë sa më larg të jetë e mundur. Por në Ligën e Kampioneve konkurrenca është në nivel të lartë, kështu që klubi duhet të bëjë përforcime në skuadër”.

Merkel uron Bajernin: “Suksese Klinsmanit”

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, përgëzoi Bajernin e Munihut me rastin e fitimit të titullit të 21-të si kampion i Bundesligës. “Bavarezët janë ekipi më i mirë”, - tha ajo për gazetën gjermane “Bild”. “I uroj Bajernit dhe Jurgen Klinsmanit (pasuesit të Otmar Hitzfeldit) shumë suksese në Ligën e Kampioneve për vitin e ardhshëm”. Portieri emblematik i Bajerit, Oliver Kahn do të varë “këpucët në gozhdë”. “Bundesliga do të jetë e varfër pa atë”, - tha Merkel, e cila nga ana e saj është tifoze “zyrtare” e Energi Kotbusit të Ervin Skelës.

Bajerni kërkon Dekon e Gatuzon

Brenda tri viteve të ardhshme Bajerni do të jetë sërish në majë të Europës. Investimet e planifikuara te rekordmenët e Gjermanisë do të nisin një erë të re. Lajmi pohohet nga menaxheri i Bajernit, Uli Hënes. “Do ta ndërtojmë ekipin. Ne do të sjellim një apo dy lojtarë”. Dy nga futbollistë që planifikohen të blihen nga bavarezët janë mesfushori i Barcelonës, Deko dhe ai i Milanit, Xhenaro Gatuzo. Henes thotë se brenda vitit 2010 Bajerni do të jetë një nga pesë apo gjashtë ekipet më të mira në Europë. Bajerni, që sezonin e ardhshëm do të drejtohet nga Jurgen Klinsmani, ka nevojë edhe për një portier cilësor pas largimit të Oliver Kahn.

Ronaldo: “Nuk jam një gej”

Sulmuesi i Milanit, Ronaldo, zbuloi se mund të jetë pjesë e formacionit brazilian Flamengo, nëse kuqezinjtë do ta lejonin atë. “Kontrata ime me Milanin përfundon në qershor, pas kësaj unë jam i lirë të bisedoj në lidhje me të ardhmen time”, - tha Ronaldo për një televizion brazilian. “Ëndrra ime është të luaj për Flamengon, unë e di se dyert janë të gjithmonë të hapura”
“Fenomeni” flet edhe për skandalin me transvestitët: “Unë nuk pata asnjë marrëdhënie seksuale me këta njerëz. Unë dua të theksoj se unë nuk jam një gej”.
KAKA- Pas vendimtar, gol, spektakël: “Topi i artë”, braziliani Kaka ishte edhe fituesi i derbit milanez, Milan-Inter, të fituar 2-1 nga Kuqezinjtë. Kaka shpërtheu edhe njëherë në derbin 267, për të treguar vlerat e tij duke dhënë mesazhet se ai vazhdon të jetë një nga më të mirët në botë. Super-Pipo shënoi golin e parë për Milanin. “Me Filipin ne kuptohemi në mënyrë të mrekullueshme”.
FLAMINI- Matieu Flamini është tashmë një lojtar i Milanit. Ish-futbollisti i Arsenalit, i cili mbërriti në Itali të dielën në mbrëmje, mesfushori francez kaloi edhe vizitën tradicionale mjekësore të hënën në mëngjes dhe do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare me klubin kuqezi. Paga e tij vjetore pritet të jetë 4 milionë euro. Milani fitoi të dielën 2-1 me Interin.
BERLUSKONI – Padroni i Milanit, Silvio Berluskoni, i cili ishte shumë i dëshiruar për ardhjen e Ronaldinjos te Milan, nuk duket ende shumë i interesuar për shërbimet e tij. “Unë kam menduar gjithmonë se ai është shumë i dobishëm. Por tani, unë mendoj se nuk kemi nevojë”, - deklaroi ai për “Sky”. Milani ofroi pak më shumë se 15 milionë euro për braziliani por oferta u refuzua nga Barcelona që kërkoi nga ana e saj 30.

Toti: “Dëshiroj të luaj deri 38 vjeç”

Kapiteni i Romës, Françesko Toti pohoi se qëllimi i tij është të luajë për verdhekuqtë deri në moshën 37 ose 38 vjeç. Mesfushori sulmues është simboli i Romës, me të cilin ka debutuar qysh në moshën 16-vjeç në vitin 1993. 15-vjet më pas ai është shndërruar një pikë referimi për ekipin e tij, aq sa mendohet se skuadra e Romës nuk mund të mendohet pa të. Gjatë këtij sezoni 31-vjeçari ka shënuar 14 gola në 25 ndeshje në Serinë A. Toti aktualisht është i dëmtuar. Filip Mekses beson se Roma e meriton të fitojë kampionatin italian, po aq sa Interi, që duket se ka më shumë shanse. Verdhekuqtë kampionatin e fundit e kanë fituar në vitin 2001, kur në bankinë ishte Fabio Kapelo. Roma është vetëm tri pikë larg Interit kur kanë mbetur edhe dy ndeshje. “Kampionati në opinionin tim e meriton të shkojë te Roma, ne bëmë gjëra të mëdha, edhe pse Interi është shumë i mirë gjithashtu”, - tha Mekses për gazetën “Il Romanista”.

Rehagel me Greqinë deri në vitin 2010

Oto Rehagel nënshkroi të hënën kontratën e tij të tretë si trajneri i përfaqësueses greke. Trajneri gjerman do të drejtojë kampionët në fuqi të Europës deri në vitin 2010. Rehegal, i cili humbi me Shqipërinë (2-1) e Hans Peter Brigelit për eliminatoret e Botërorit 2006, do të fitojë 1 milionë euro në vit. Federata greke do të marrë përsipër pagimin e taksave për gjermanin. Në finalet e Euro 2008, Greqia ndodhet në grupin D së bashku me Suedinë - kundërshtare e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2010- Spanjën e Rusinë.

Benitez: “Torresin e presin ditë të vështira”

Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, edhe pse lavdëroi sulmuesin e tij Fernando Torres për performancën e tij të shkëlqyer me “Reds”-at në sezonin e parë të tij në Angli, tha se ndërkombëtari spanjoll nuk mund të ketë të njëjtën ecuri sezonin e ardhshëm. 24-vjeçari u bashkua me Liverpulin gjatë verës së kaluar nga Atletiko e Madridit dhe shënoi gjatë sezonit të parë me skuadrën angleze 32 gola, nga këto 23 në kampionat, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur. “Fernando ka qenë shumë argëtues dhe ai arriti këtë numër golash pa realizuar asnjë me penallti”, - tha Benitez. “Sezoni i ardhshëm mund t jetë i vështirë për Torres, mbrojtësit e kanë parë dhe do të punojnë shumë për ta bllokuar atë”.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›