Riker: Nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan

Zyrtari i lartë i SHBA-ve, Filip Riker ka theksuar se në rajon nuk do të ketë ndarje dhe ndryshim të kufijve.
“Jemi në shekullin e 21 dhe Marrëveshja e Ohrit është një simbolikë e saj. Nuk ka asnjë arsye që të pengohet kjo rrugë, kjo paqe dhe të mos punohet më tej. Të jemi të sigurt, se nuk do ketë kurrfarë ndryshim të kufijve dhe proceset në këto treva si, Rambuje e tjera do të ndihmojë për gjithë por edhe për ju në Maqedoni e rajon që të shohin se ardhmëria megjithatë varet nga ju”, ka theksuar Riker.
Duke folur për marrëveshjen e Ohrit, ai e ka cilësuar atë si një model të mirë zgjidhje të shekullit të 21, për parandalimin e luftërave civile, shkatërrimeve dhe shpëtimin e shumë jetëve.
“Ju në Maqedoni keni arritur ta parandaloni luftën civile dhe duhet të jeni krenar për këtë. Bashkësia ndërkombëtare ndihmoi, por mbetet fakti se ju vetë e arritët këtë sukses dhe për këtë arsye besoj se marrëveshja kornizë është e rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Filip Riker në ditën e dytë të konferencës, kushtuar dhjetëvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.