E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Përjashtohet ndarja e kufijve të Kosovës

Zëvendës-ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan, përjashton mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke theksuar se nuk duhet të ketë autonomi tjetër për veriun, përveç Pakos së Ahtisaarit.
 

Në një intervistë për "Radio Evropa e Lirë", diplomati austriak, deklaroi se ekziston vetëm një zgjidhje për situatën e fundit të krijuar në Kosovë dhe kjo është vendosja e veriut në kuadër të sistemit administrativ të Kosovës.
 

Sipas Rohan kjo çështje do të duhej të diskutohej edhe në dialogun me Beogradin. "Situata në veri është trashëgimi e administratës ndërkombëtare, e UNMIK-ut që nuk ka pasur sukses asnjëherë në vënien e autoritetit në veri. Ekziston vetëm një zgjidhje sipas mendimit tim, e që është vendosja e veriut në kuadër të sistemit administrativ të Kosovës. Misionet ndërkombëtare do të duhej ta mbështesnin qeverinë në këtë. Natyrisht se këto janë çështje të cilat ndikojnë dhe në çështjet praktike, siç janë doganat, regjimi i kufijve e kështu me radhë”, u shpreh ai.
 

Rohan thekson se e vetmja zgjidhje mund të jetë vendosja graduale e drejtësisë në veri. "Gjykatat do të duhej të hapeshin, do të duhej të kishte një regjim kufitar ku natyrisht do të ishin të përfshirë policët dhe doganierët kosovarë", nënvizon Rohan.
Zëvendës-ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, thekson se autoritetet ndërkombëtare kanë vendosur kusht marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, të Serbisë dhe kjo lidhet me zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura që ka ky shtet me Kosovën.

Ndër të tjera Rohan përjashton ndarjen e Kosovës, pasi ka qenë gjithmonë qëndrimi i të gjithëve përfshirë anëtarët e Grupit të Kontaktit, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara dhe, deri më tani, përfshirë edhe qeveritë në Beograd dhe Prishtinë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›