Rikonfirmohet mbështetja e gjithanshme e SHBA've

"Në takim, është rikonfirmuar mbështetja e fuqishme dhe e gjithanshme e SHBA-ve për Republikën e Kosovës. Në këtë kuadër, zëvendëspresidenti Biden ka vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Thaçi në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike", thuhet ne nje njoftim te Zyres se Kryeministrit.
Në takimin shumë miqësor, kryeministri Thaçi e njoftoi Zëvendëspresidentin Biden lidhur me zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen e lartë për Zëvendëspresidentin Biden për rolin vendimtar që SHBA-të kanë pasur në relacion me të gjitha proceset historike, që ndërlidhen me Kosovën, duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Thaçi kërkoi nga Zëvendëspresidenti Biden që SHBA-të të vazhdojnë të luajnë këtë rol vendimtar dhe të mbesin promotorë të proceseve integruese për Kosovën në strukturat euro-atlantike.
"Zëvendëspresidenti Joseph Biden e përgëzoi Kryeministrin Thaçi për lidershipin e tij në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës. Z.Biden e siguroi Kryeministrin Hashim Thaçi se SHBA-të do të vazhdojnë të mbesin thellësisht të angazhuara në Kosovë dhe do kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura. Zëvendëspresidenti amerikan Biden i dha mbështetje të plotë Kryeministrit Thaçi që të vazhdojë të mbajë udhëheqjen e Kosovës në kursin e duhur, ashtu siç ka bëre deri tani, dhe e siguroi që përkrahja e SHBA-ve do të jetë e vazhdueshme dhe e gjithanshme. Z.Biden gjithashtu theksoi përsëri se SHBA-të janë të palëkundura në mbështetje të plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës", thuhet me tej ne njoftim.
Thaçi takohet me Allbright
Kryeministri Thaçi pritet të ketë takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki Mon, në Nju Jork, me ambasadorë të Kombeve të Bashkuara, si dhe kongresistë nga shteti i Nju Jorkut.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar të enjten një takim me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Allbright.
“Në takimin miqësor, kryeministri Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm që ish-sekretarja Allbright ka luajtur dhe po luan në mbështetje të zhvillimeve demokratike në Republikën e Kosovës. Në takim, kryeministri Hashim Thaçi e njoftoi znj. Allbright për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për reformat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike” thuhet në një njoftim të qeverisë.
E Allbright sipas Qeverisë ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, për integritetin dhe sovranitetin e saj, si dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
“Znj.Allbright po ashtu përgëzoi kryeministrin Thaçi për marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe për fillimin e procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur” thuhet në njoftim.
Thaçi sot takohet me Biden
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se nënpresidenti amerikan Joe Biden do të takojë sot kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.
Takimi, sipas komunikatës për media të Shtëpisë së Bardhë, mbahet në orën 11 e 30, sipas kohës lokale të Washingtonit, njofton REL.
Kryeministri Thaçi gjendet në një vizitë zyrtare në SHBA.
Një ditë më parë, ai u takua me sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, nga e cila mori mbështetjen amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.
Jemi bashkë
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka ritheksuar mbështetjen për Kosovën dhe sovranitetin e saj ,gjatë një takimi me Kryeministrin Thaçi në Washington. Kryediplomatja amerikane kërkoi vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe implementimin e rezultateve. Ajo tha se autoritetet kosovare duhet të sigurojnë edhe sundimin e ligjit në vend. Shefi i Qeverisë pranoi se Kosova duhet të bëjë shumë në luftën kundër korrupsionit dhe të forcimit të institucioneve.
Besoj fuqishëm në pavarësinë, integritetin territorial dhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.
Në këtë formë, Sekretarja Amerikane Hillary Clinton ia ka konfirmuar mbështetjen e SHBA’së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë një konference pas takimit në Departamentin e Shtetit, Clinton iu ka dhënë edhe një herë mbështetje marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë duke përmendur perspektivën europiane të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen e saj drejt Kosovës dhe do të punojnë edhe me BE’në në mënyrë që të zgjidhen edhe ato çështje që kanë ngelur në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Clinton.
Kryediplomatja amerikane i kishte kërkuar zyrtarëve të Kosovës të pranojnë marrëveshjen e fundit me Serbinë, me të cilën vendi përfaqësohet me fusnotë në nismat rajonale.
Këtë qëndrim, ajo e ka përsëritur edhe të mërkurën dhe ka thënë se marrëveshja nuk e prek sovranitetin e Kosovës.
“SHBA fuqimisht e mbështesin dialogun dhe bisedimet që zhvillohen me Republikën e Serbisë, të lehtësuara nga Bashkimi Europian dhe gjithashtu jemi të kënaqur me marrëveshjet e arritura. Kjo shkon në kredi të dy lidershipeve të dy vendeve, të cilat janë të gatshme për të gjetur kompromisin në rrugëtimin përpara. Dhe, Shtetet e Bashkuara mbesin plotësisht të përkushtuara ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sovranitetit të Kosovës. Marrëveshjet të cilat arrihen me dialog fuqizojnë këto dhe parashtrojnë parakushtet për një pjesëmarrje të Kosovës në nivele të caktuara të forumeve me shtetet tjera dhe Kosova do të ketë një zë të barabartë me shtetet e tjera. Prandaj, inkurajojmë të gjitha shtetet që të jenë të përkushtuara ndaj këtij dialogu dhe të implementojnë çdo gjë për të cilën janë marrë vesh”.
Ndryshe, ajo ka thënë se vendimi i BE’së për studimin e fizibilitetit është hapi i parë afrimin e Kosovës drejt Unionit.
“Kjo tregon që liderët në Kosovë, por edhe në BE që janë të përkushtuar që të fuqizojnë dhe përmirësojnë marrëdhëniet e tyre”, ka shtuar ajo.
Shefja e diplomacisë amerikane ka përmendur përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe ka thënë se mbetet ende shumë punë për t`u bërë.
Pavarësisht deklaratave të ambasadorit amerikanë Dell se korrupsioni në Prishtinë po bënë kërdi, Clinton ka thënë se Kosova po i ngrit institucionet dhe po e forcon rendin dhe ligjin.
“Gjithsesi Qeveria është duke e miratuar legjislacionin dhe duke i ngritur institucionet të cilat do të udhëheqin reformat demokratike dhe të sigurojnë sundim të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky vendim gjithashtu sinjalizon se një Kosovë stabile dhe e pavarur është e gatshme për një pjesëmarrje të plotë dhe anëtarësim në bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.
Në anën tjetër, Kryeministri Hashim Thaçi e ka pranuar se Kosova është demokraci e re dhe se duhet ende të punë për të arritur standardet ndërkombëtare.
“Ne akoma kemi shumë për të bërë në kuptim të reformave, konsolidimin e institucioneve, ekonomisë, qeverisjes së mirë, lufta kundër korrupsionit dhe të transformimit të shoqërisë tonë drejt ndryshimeve pozitive”, ka thënë ai.
Por, Shefi i Qeverisë i ka thënë Sekretares Clinton se diçka kurrë nuk do të ndryshojë.
“Por, janë disa gjëra që kurrë nuk do të ndryshojnë, dhe ajo është liria jonë, pavarësia jonë, integriteti ynë territorial dhe sovraniteti dhe e drejta jonë që të investojmë si një komb krenar në familjet e kombeve të pavarura”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës është lavdëruar nga Sekretarja Clinton, e cila ka thënë se SHBA dhe Kosova janë bashkë.
“Shtetet e Bashkuara, z. Kryeministër janë krah për krah me popullin e Kosovës derisa ata trasojnë rrugën për të ardhmen e tyre. Dua të falënderoj edhe juve dhe t`ju përgëzojë për të gjithë punën e arritur dhe për progresin që ne sot e festojmë”, i ka thënë Clinton, Thaçit.
“Kryeministri Thaçi ka treguar një lidership të fuqishëm për të ndihmuar në promovimin e stabilitetit, demokracisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë dhe është duke e udhëhequr shtetin drejt të ardhmes për qytetarët e Kosovës - atë të ardhme që e kanë dashur qytetarët dhe atë të ardhme, të cilën e kanë dëshiruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një partneritet dhe anëtarësim të plotë në strukturat euroatlantike dhe evropiane”, ka shtuar ajo.
Kjo është hera e tretë që Kryeministri i Kosovës viziton institucionet më të rëndësishme amerikane.
Përpos me Clinton, Thaçi pritet të takohet edhe me Nënpresidentin amerikan Joseph Biden dhe Presidentin Barack Obama.