Rushdie, prapë në shqip

Çdo 14 shkurt nga Irani i vijnë ‘kartolina dashurie’, për t’i rikujtuar se iranianët nuk kanë hequr dorë nga premtimi për t’i marrë jetën. Po Salman Rushdie nuk do të hiqte dorë nga të shkruarit as nga fatwa (dënim me vdekje), kërcënimet apo atentatet e dështuara. Pas “Vargjeve satanike”, shkrimtari britanik me origjinë indiane vijoi me temat e tij të preferuara. Duke joshur me stilin e tij të veçantë, që i afrohet më së shumti përrallës, ai trajton tema të mëdha, siç janë ato të përplasjes së qytetërimeve, peshës së pushtetit, fatit të gruas etj. Pas botimit të romaneve “Psherëtima e fundit e Arapit”, “Furia” dhe “Haruni dhe një det me histori”, shtëpia botuese “Dudaj” ka sjellë për lexuesin shqiptar një tjetër roman të Rushdie. Bëhet fjalë për “Magjistricat e Firences”, i shqipëruar nga Ilir I. Baçi.
Ky roman i shtohet kolanës së veprave të këtij autori në shqip, por në të njëjtën kohë ai paraprin një tjetër libër të këtij autori, dalja e të cilit po pritet me padurim në gjithë botën. Bëhet fjalë për librin autobiografik të autorit aq të përfolur. “Një ngjarje e shënuar letrare për këtë vit do të jetë botimi në gjuhën shqipe i autobiografisë së Salman Rushdies, i titulluar “Jozeph Anton”. “Joseph Anton” është bashkimi i emrave të shkrimtarit polak Joseph Conrad dhe dramaturgut rus, Anton Chehov. Ky ishte emri që mbante Rushdie, kur lëvizte i fshehur, duke iu druajtur fatwas së tmerrshme që do ta zhdukte nga faqja e dheut”, thotë Arlinda Dudaj për gazetën Panorama.
Ky libër vjen në shqip njëkohësisht me botimin e tij në gjuhën angleze dhe në shumë gjuhë të tjera të botës”, shton botuesja Dudaj, e entuziazmuar që kësaj here Shqipëria ecën në të njëjtin hap me vendet e tjera në fushën e botimeve. Për “Jozeph Anton”-in nuk dihet më shumë nga ç’vetë Rushdie ka bërë të njohur: thjesht dhe vetëm një kopertinë.
‘Magjistricat e Firences’
Duke u endur në një botë magjike, mes formulash sekrete e gjuetarë vampirësh, mes oborresh perandorake e princeshash të zhdukura në mënyrë misterioze, ‘Magjistricat e Firences’ është historia e një gruaje që përpiqet të marrë në dorë frerët e fatit të saj në një botë të drejtuar nga meshkujt. Në të bashkohen dy qytete, që thuajse nuk janë në dijeni të ekzistencës së njëri-tjetrit. Këto janë kryeqyteti mongol, ku mendja e shkëlqyer e perandorit merret përditë me çështje të fesë, dëshirës dhe tradhtisë së të bijve, si dhe Firencja, po aq sensuale, me botën e fuqishme të kurtizaneve, filozofinë humaniste dhe torturat çnjerëzore të saj, ku shoku i fëmijërisë i Argalias, Makia (Niccolo Machiavelli), po e provon mbi kurrizin e tij se çfarë është mizoria e pushtetit. Këto dy botë kaq të largëta dalin se, çuditërisht, janë shumë të ngjashme e të ngërthyera në magjepsjen e grave.
‘Vargjet satanike’ edhe në shqip
Shtëpia botuese ‘Dudaj’ tashmë është botuesi zyrtar i veprave të Salman Rushdie në Shqipëri. Ka botuar katër romane, pret të botojë brenda këtij viti autobiografinë e Rushdie, në një kohë që në planet e saj është edhe vepra më e shigjetuar e tij. Bëhet fjalë për ‘Vargjet satanike’. Sipas botueses Arlinda Dudaj, botimi i këtij libri është në planet e saj. Por nuk bëhet fjalë për dëshira, por për plane konkrete e nënshkrime kontratash. Kjo do të thotë se në shqip do të vijë një libër i ndaluar në shumë vende të botës, por nuk bëhet fjalë për botime pirate, por me të drejta autori të plota. Publikimi i ‘Vargjeve satanike’ në shtator të vitit 1988 shkaktoi polemika të menjëhershme në botën islame për shkak të asaj që është perceptuar si një përshkrim satirik i profetit Muhamed. Libri është ndaluar në shumë vende me komunitete të mëdha myslimane (12 në total: India, Bangladeshi, Sudani, Afrika e Jugut, Sri Lanka, Kenia, Tajlanda, Tanzania, Indonezia, Singapori, Venezuela dhe Pakistani).