Rikonstruksion i plotë i shkollës “Skënderbeg” dhe mjedise sportive për gjimnazin “Oso Kuka” në Shkodër

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Shkodra do të përfitojë investime të reja në sektorin e arsimit, pas përzgjedhjes së Bashkisë Shkodër si fituese në thirrjen e Ministrisë së Arsimit për financimin e projekteve të infrastrukturës arsimore.
Projektet përfshijnë rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Skënderbeg” dhe ndërtimin e mjediseve sportive në gjimnazin “Oso Kuka”.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga projekti që parashikon rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Skënderbeg” dhe ndërtimin e mjediseve sportive në gjimnazin “Oso Kuka”.
Projekti për shkollën “Skënderbeg” parashikon rikonstruksion të plotë të godinës, me rehabilitimin e klasave, ambienteve të përbashkëta dhe hapësirave të jashtme, me synimin për të krijuar kushte bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor.
Investimi do të përmirësojë standardet e infrastrukturës arsimore për nxënësit dhe stafin pedagogjik.
Njëkohësisht, gjimnazi “Oso Kuka” do të përfitojë mjedise të reja sportive, ku parashikohet ndërtimi dhe sistemimi i terreneve për zhvillimin e orëve të edukimit fizik dhe aktiviteteve sportive. Investimi synon t’u ofrojë nxënësve ambiente moderne, funksionale dhe të sigurta për sport dhe zhvillimin e aktiviteteve jashtëshkollore.
/m.q/j.p/r.e/