Sot, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Deputetët e zgjedhur mblidhen sot për të konstituuar Kuvendin e ri të Kosovës. Në rend dite janë formimi i një komisioni verifikues, betimi i deputetëve dhe zgjedhje e nënkryetarëve dhe kryetarit.
Konstituimi i Kuvendit hap rrugën për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri por, seanca po mbahet ndërkohë që LVV dhe LDK nuk kanë ende marrëveshje që do ta zhbllokonte ngërçin.
Partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk parashihet të ketë telashe për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë e re, me 53 mandate e siguruar dhe bashkëpunimin e saj me pakicat joserbe, që gëzojnë 10 ulëse.
Por, një çështje që e solli vendin në këtë pikë mund të përsëritet, zgjedhje e presidentit, për të cilin kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë për të qenë i vlefshëm votimi.
Kurti ka mbajtur bisedime me liderin e Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, në prag të kësaj seance, por ata nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.
Një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, e cila ka 18 deputetë, do të mund t’i siguronte votat dhe kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, prapëseprapë mbetet e paqartë nëse një marrëveshje e tillë mund të siguronte mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së, për shkak të mospajtimeve të brendshme në këtë parti. /REL/