Lulzim Basha: Tirana, së shpejti me tramvaj dhe me lagje moderne
Kandidati i PD-së për kryebashkiak takohet me banorët e lagjes “Kombinat” dhe shpall projekte ambicioze në infrastrukturë, si mundësi për ta nxjerrë kryeqytetin nga kolapsi i trafikut
Bashkia e Tiranës është e vetmja njësi qeverisëse në Evropë dhe Botë që s’ka një kryetar i cili të kujdeset për komunitetin, problematikën e qytetarëve, hallet dhe shqetësimet e tyre. Kjo si pasojë e qeverisjes nga një kryetar i cili për më shumë se 10 vjet asnjëherë s’ka menduar për interesin e qytetarëve, por ka vënë ambicien e tij personale të lidhur politikisht mbi shërbimin që duhet t’i kryente komunitetit. Një situatë e tillë braktisje dhe lënie në mëshirë të fatit preket në thuajse të gjitha zonat e administruara nga Bashkia e Tiranës. Kësisoj, Kombinati, kjo pjesë e rëndësishme e Tiranës, me rreth 60 mijë banorë, vitet e fundit është larguar nga Kryeqyteti dhe aktualisht gjendet një orë larg qendrës.
“Një orë bëjmë të shkojmë në Tiranë me autobus”, i thanë banorët dje Lulzim Bashës, kandidatit për kryebashkiak në Tiranë.
Lulzim Basha dëgjoi shumë ankesa për transportin, dhe i siguroi banorët duke u shpjeguar atyre planin që ai ka. “Pikat më të largëta do të kenë lidhje shumë më të mira përmes Tramvajit, rrugës së vet të dedikuar dhe të pavarur nga trafiku”, u tha Basha banorëve.
Transporti publik është një nga problemet që ka kjo zonë. Sa më thellë të depërtosh nëpër lagje, aq më shumë dalin në sipërfaqe mangësitë e mëdha në infrastrukturë. Banorët i treguan Bashës mungesën e pusetave dhe pasojat që sjell kjo situatë. “Ujërat e zeza janë ngado”, ankohen banorët.
Rrugët janë të prishura. Fëmijët nuk kanë ku të luajnë. Të moshuarit nuk kanë një hapësirë ku të çlodhen. “Do ta bëj rrugën, por do ta bëj me plan zhvillimi, ku të ketë edhe shesh për të luajtur fëmijët dhe për të kaluar kohën të moshuarit”, u angazhua Lulzim Basha gjatë takimeve që pati në Kombinat me qytetarët.
Banesat janë të vjetra dhe në gjendje të rënduar. Banorët i kërkuan Bashës që të ndërhyjë. Kandidati për kryebashkiak në Tiranë i garantoi qytetaret se për të gjithë hallet dhe problemet që ata kanë do të kenë vëmendjen e tij të vazhdueshme kur ai të jetë në krye të Bashkisë.