Ekstradohet i kërkuari prej dhjetë vitesh, vrau dy persona
Një i kërkuar prej 10 vitesh për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një të treti i është dorëzuar drejtësisë shqiptare dhe tashmë do të vuajë dënimin e marrë. Kol Bushgjoka është ekstraduar nga Italia dje, pas një bashkëpunimi të ngushtë mes sektorit të operacioneve speciale, Interpol-Tiranës dhe homologëve të shtetit fqinj. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se nga uniformat blu, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë shoqërimi i Kol Bushgjokës, i cili u ekstradua nga Italia. Ai është dërguar në ambientet e burgut 302, ku do të vuajë dënimin prej 25 vjetësh burg të vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ky vendim është dhënë më 13 korrik të vitit 1999, e cila e ka dënuar shtetasin Kol Bushgjoka, 46 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë, për veprën penale të "vrasjes me dashje", "vrasjes me dashje e mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje". Sipas policisë, ai ka qenë i shpallur në kërkim nga Komisariati nr. 4, që më 1 mars të vitit 1999. Sipas dosjes penale, më 30 janar të vitit 1999, ai ka vrarë Agim Xhemetën dhe Artan Hoxhën. Në këtë atentat ka mbetur i plagosur rëndë edhe Spartak Hoxha. Policia shpjegon se në atë kohë konflikti që solli këtë ngjarje kishte ndodhur për motive banale dhe palët nuk kishin pasur konflikte të mëparshme.