Rikthehen rastet me Covid në Fier, 20 të infektuar gjatë dy ditëve të fundit

Rastet me Covid janë rikthyer edhe në Fier ku vetëm në dy ditët e fundit janë zbuluar 20 raste në Fier, Patos e Roskovec.
Drejtuesi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Fier, Arbër Arapi, është shprehur se situata e rritjes së rasteve me Covid në Fier është shkak i fluksit në rritje të emigrantëve.
“Në qytetin e Fierit janë 15, në Patos 4 dhe në Roskovec vetëm një rast. Në krahasim me ditët e mëparshme, është gati dyfishuar numri i rasteve pozitive, që ka lidhje edhe me fluksin e ardhjes së emigrantëve, nga kontaktet që mund të kenë“, tha ai.
Por rastet me Covid janë shfaqur edhe tek fëmijët. Në këto ditë të gushtit është regjistruar edhe një numër i lartë vizitash dhe shtrime të fëmijëve në spital nga virozat e stinës. Vetëm në 24 orë numri i vizitave shkon në mbi 85 fëmijë dhe mbi 20 shtrime në spital.
“Nga viti i kaluar kemi fluks pak më të vogël. Rastet janë kryesisht me bark, me të vjella, me temperaturë. Pickime nga insektet, alergji të ndryshme, kemi dhe raste me Covid të cilat i kemi diagnostikuar”, u shpreh pediatrja Anila Mukaj.
Duke marrë parasysh këtë situatë është rritur edhe kryerja e testimeve. Për drejtuesin e Kujdesit Shëndetësor në Fier, pavarësisht se kemi raste të shtuara me Covid, gjendja shëndetësore e pacientëve ka pasur simptoma të lehta pa rrezik për jetën.
Gazetare: Megi Mëhilli
/RTSH/