Vau i Dejës/ Kultivonte 2 mijë bimë kanabis mes misrave, arrestohet 28-vjeçari

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, e ka përshëndetur operacionin antikanabis që rezultoi me një të arrestuar dhe asgjësimin e një plantacioni e mbi 2 mijë bimëve narkotike në Vaun e Dejës.
Një 28-vjeçar, banues i fshatit Gur i Zi në Shkodër, u kap në flagrancë teksa kujdesej për bimët e fshehura në tokën arë të mbjellë me misër.
“Ndërsa vijon mega-operacioni kombëtar kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe goditja e grupeve kriminale në gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit sapo ka përmbyllur një goditje të suksesshme në Vaun e Dejës, duke arrestuar në flagrancë keqbërësit!” reagoi Balla në Facebook.
Nën operacionin e koduar “Corn”, Policia njoftoi asgjësimin përmes djegies të 2 100 rrënjëve cannabis sativa në fshatin Mjedë.
Një pjese e bimëve narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Për zbulimin e plantacionit ndihmuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës dhe dronët e rezolucionit të lartë.
/rtsh.al/