Rikthehen reshjet e dëborës, Olli: Situata nënkontroll
Drejtori i Emergjencave Alfred Olli në një deklaratë për mediat, ka sqaruar se situata e krijuar nga reshjet e borës të rëna gjatë 24 orëve të fundit nuk ka krijuar problem në akset rrugore.
Olli njofton se të gjitha akset rrugore janë të lira dhe të të qarkullueshme të gjitha akset rrugore. Drejtori i Emergjencave gjithashtu nënvizon se nuk ka emergjenca shëndetësore. Kësisoj, në zonën verilindore kanë rinisur në orët e para të mëngjesit reshjet e dëborës, por intensiteti i ulët i tyre ka bërë që dëbora në qytetet verilindore vetëm sa është shfaqur, ndërsa në zonat rurale trashësia e saj nuk është më shumë se 20 centimetër.
Dëbora e rënë ka shkaktuar shqetësim në disa akse rrugore pasi me rënien e temperaturës lëvizja e mjeteve kërkohet të kryhet me zinxhirë. Situata paraqitet më problematike në segmentin rrugor tuneli i Kalimashit-Morinë, ku bora e rënë ka shkaktuar vështirësi në qarkullim. Për këtë qëllim po punojnë 3 borëpastruese për normalizimin e situatës. Probleme gjithashtu regjistrohen edhe në akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Krumë, Kukës-Peshkopi, si dhe Fushë Arrëz-Kukës, ndërkohë që raportohet se segmenti rrugor Krumë-Bajram Curri është i kalueshëm me zinxhirë.
Elbasan
Situata paraqitet problematike është në aksin që lidh Tiranën me Elbasanin, nëpërmjet Qafë Kërrabës. Ky segment rrugor raportohet se është bërë i pakalueshëm, gjatë orëve të para të mëngjesit si rezultat i reshjeve të dëborës, si dhe gurëve të cilët kanë bllokuar rrugën. Por, pas marave të marra nga shërbimet e policisë situata u normalizua. Edhe aksi që lidh Përrenjasin me Qafë Thanë dhe Qafë Thanë-Maqedoni ka probleme pasi trashësia e borës ka arritur 10 cm. Policia nuk lejon qarkullonin pa zinxhirë.
Gjirokastër
Dëbora dhe acari kanë mbuluar dje dhe sot qarkun e Gjirokastrës, në jug të vendit. "Që të gjitha zonat, që ndodhen 400 metra mbi nivelin e detit janë mbuluar nga dëbora, ndërkohë në disa segmente rrugore qarkullimi i automjeteve kryet me vështirësi", tha Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë. Sipas tij, në komunat Zagori dhe Pogon (Gjirokastër), trashësia e dëborës varion nga 30-40 centimetra, ndërsa qarkullimi rrugor kryet me zinxhirë. Në komunën Frashër (Përmet) dhe Kurvelesh (Tepelenë), dëbora varion nga 50-60 centimetra, ndërkohë që rrugët janë të pakalueshme. Mullai u shpreh se, “segmenti rrugor kombëtar Jorgucat- Qafa e Muzinës, nga kilometri e 7 deri tek 15, është mbuluar me dëborë, ndërsa qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë”.
“Automjetet e tonazhit të rëndë nuk lejohet të lëvizin në këtë segment rrugor, ndërkohë inspektorati i qarkullimi rrugor ka dyfishuar numrin e punonjësve”, tha Mullai, duke shtuar se moti parashikohet të vështirësohet. “Temperaturat do të vazhdojnë të zbresin nën zero gradë, ndërsa reshjet e dëborës do të jetë të pranishme deri në fundjavë”, theksoi ai. Prefektura e qarkut të Gjirokastrës ka një sipërfaqe 2880 km2 dhe një popullsi prej 161.842 banorë.