Rikthehen specializimet në mjekësi, nënshkruhen kontratat mes 118 mjekëve të rinj specializantë dhe MSHMS

118 mjekë të rinj që fillojnë këtë vit specializimin 4-vjeçar në degë të ndryshme, kanë nënshkruar kontratat dypalëshe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të shërbyer aty ku ka nevojë vendi, pas përfundimit të studimeve.
Duke vlerësuar këtë xhest të mjekëve të rinj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se ai sjell siguri për të ardhmen, për të plotësuar nevojat e sistemit publik me mjekë specialistë.
“Nënshkrimi i marrëveshjeve me ju që jeni mjekë që filloni specializimin këtë vit, në 2023 dhe e përfundoni në vitin 2027, është një pikë kulmore për ju dhe një garanci për qytetarët tanë, që e ardhmja do të jetë më e sigurt në plotësimin e nevojave për mjekë specialistë kudo në vendin tonë. Sigurisht që ne sot kemi mundësi që, jo vetëm të hapim specializimet çdo vit, por mbi të gjitha që këto specializime që ne hapim, të jenë të vlerësuar në aspektin e profesionit”, tha zonja Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se, rritja e pagave për specializantët dhe më tej mjekët specialistë, është një vlerësim dhe siguron punë dinjitoze për bluzat e bardha. “Për katër vite gjatë formimit tuaj do të merrni 80 % të pagës së mjekut specialist, duke vajtur kjo rritje rreth 1 mijë euro në muaj për çdo specializant, i cili është me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu nënvizoi se, falë investimeve në QSUT, sot janë garantuar standarde evropiane për edukimin e mjekëve të rinj.
Duke folur për Strategjinë ’20- ’30 në shëndetësinë shqiptare, zonja Manastirliu tha se, fokusi është për të garantuar mjekë specialistë dhe investime, të cilat do të mundësojnë kujdes shëndetësor afër vendbanimit, kudo në Shqipëri. Të mbyllura prej 8 vitesh specializimet në mjeksi janë rihapur duke ndihmuar në krijimin e burimeve të nevojshme njerëzore. Autoritetet e shëndetësisë thonë se investimet madhore në sektorin e shëndetësisë, ju mundëson ekipeve mjekësore të shërbejnë me dinjitet dhe me paga që tashmë janë në nivelet e larta të rajonit.
/ rtsh.al /