Shtyhet çështja “Gërdeci”, Mediu dhe avokatët nuk paraqiten në seancë ku do jepet pretenca

Për herë të tretë rresht është shtyrë seanca në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu ku ishte caktuar të jepej pretenca për çështjen “Gërdeci”.
Gjyqtarët e Posaçëm por edhe prokurorët e SPAK u paraqitën në seancë, por avokatët e ish-ministrit nuk ishin të pranishëm dhe nëpërmjet një shkrese kërkuan shtyrjen e kësaj seance.
Në gjykatë u paraqitën edhe të afërmit e viktimave të Gërdecit me të njëjtën kërkesë për të qenë prezentë në seancë.
Ish- ministri Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.
Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008. Nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec, mbetën të vrarë 26 persona si dhe u plagosën qindra të tjerë. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan edhe qindra shtëpi.
/rtsh/