E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen trazirat në Turqi

Pas një faze qetësie relative në rrugët e Turqisë po rikthehen trazirat. Vdekja e një demonstruesi 22 vjeçar shkaktoi përleshje me policinë.

Ahmet Atakan është qëlluar në kokë me një bombël me gaz lotsjellës thonë dëshmitarët. Ndërsa autoritetet pohojnë se 22 vjeçari është rrëzuar nga çatia e një shtëpie. Një gjë është e sigurt: Ahmet Atakan nuk jeton më. Dhe sërish ka shpërthyer konflikti ndërmjet kritikëve të qeverisë, që protesotjnë në rrugë dhe policisë, që mbron interesat e qeverisë.

Përsëri demonstruesit akuzojnë policinë se po vepron me një ashpërsi të tepruar kundër mitingjeve në fakt jo agresive. Në Stamboll të dyja palët janë përleshur ashpër deri në orët e mëngjesit.

Atakani, që u vra të hënën në mbrëmje është demonstruesi i gjashtë, që vritet që prej fillimit të manifestimeve kundër qeverisë në qershor. Edhe një polic është vrarë në protestat, që u shkaktuan për shkak të një projekti ndërtimi të qeverisë në parkun Gezi të Stambollit. Protestat u fashitën në fakt me fillimin e pushimeve të verës në fund të qershorit.

Shkaqet e trazirave janë të njëjtat. Përfaqësues të qeverisë dhe të lëvizjes së protestës patën parashikuar se në shtator me fillimin e semestrit të dimrit në universitetet e vendit do të priteshin tensione të reja. U fol për një vjeshtë të nxehtë.

Sepse shkaqet, që detyruan koalicionin e grupeve kritike të qeverisë të dalë në rrugë në qershor, vazhdojnë të ekzistojnë. Lëvizja e protestës akuzon kryeministrin Rexhep Taip Erdogan për autoritarizëm dhe mospërfillje të opinioneve të atyre, që mendojnë ndryshe. Në fakt qeveria bëri në qershor premtime për ndryshime, por konkretisht nuk ka bërë asgjë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›