Rikthehet ‘Këmisha e gjakut’
Në Ditën Botërore të Teatrit, këtë të diel, Teatri Laborator ‘Loja’ e rifillon sezonin pranveror me reprizat e shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’.
Reprizat e para të shfaqjes do të jepen gjatë 27, 29, 30 dhe 31 marsit, për të vazhduar më tutje, tri herë në javë (çdo të martë, të enjte dhe të premte), me reprizat tjera gjatë prillit dhe majit. Shfaqja jepet në Muzeun Etnologjik të Kosovës (në afërsi të Gjimnazit ‘Sami Frashëri’), në orën 20:00. Për shkak të hapësirës, numri i spektatorëve është i kufizuar në 20 veta.
Teatri Laborator ‘Loja’ është teatri i parë dhe i vetëm me karakter laboratorik – eksperimental në Kosovë. Themelues i këtij teatri është Bekim Lumi, regjisor teatri, profesor i Regjisë së Teatrit në Universitetin e Prishtinës dhe kryeredaktor i revistës për teatër ‘Loja’.
Ndërkaq, ‘Këmisha e gjakut’ është një shfaqje e krijuar nga regjisori Bekim Lumi gjatë procesit kërkimor – kreativ njëvjeçar në Teatrin Laborator ‘Loja’. Kjo shfaqje, konceptualisht, është ndërtuar mbi motivet dhe fragmentet e tragjedive ‘Makbethi’, ‘Rikardi III’ dhe ‘Hamleti’ të Shakespeare-it dhe mbi disa nga motivet e kodit zakonor shqiptar ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’, i cili ngërthen në vetvete shumë nga traditat, doket, zakonet dhe ritualet e vjetra shqiptare. Përmes ‘Kanunit të Lekë Dukagjinit’, përkatësisht kaptinave të këtij kodi zakonor: ‘Miku’, ‘Vrasja e mikut’, ‘Dorasi’, ‘Besa’, ‘Gjaku’, ‘Deka’ etj., kjo shfaqje, përveç si një akt krijues skenik, mëton, gjithashtu, të jetë edhe një akt deshifrues, dekodues dhe interpretues në mënyrën ‘shqiptare’ për disa nga motivet dhe kryepersonazhet e pinakotekës së përgjakshme shekspiriane, tablotë e errëta, dramatike, ngjethëse e tragjike të të cilës, çuditërisht, shëmbëllejnë kaq shumë me tablotë monumentale të peizazhit të përgjakshëm e po aq tragjik të kodit zakonor shqiptar.
Në shfaqje luajnë: Melehate Qena, Adriana Matoshi, Afrim Muçaj, Astrit Geci, Ermal H. Rexha, Kastriot Grajçevci e Kujtim Peli. Dy zëra të shfaqjes janë solokëngëtarët Riad Ymeri (tenor) dhe Besa Llugiqi (soprano). Skenografinë e shfaqjes e ka bërë Mentor Berisha, ndërkaq kostumografinë Samka Ferri. Mjeshtër ndriçimi është Skender Latifi.
Ambienti në të cilin do të jepet shfaqja është një shtëpi e vjetër qytetare shqiptare e shekullit 18, me vlera të veçanta arkitektonike, në të cilën aktualisht vepron Muzeu Etnologjik i Kosovës. Përveç shfaqjes, spektatorët mund t’i shijojnë nga afër edhe vlerat e jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilat janë të ekspozuara në këtë muze.