E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat përhapen në gjithë Sirinë

Nga Express më 26 mars 2011 në ora 12:43

Protestat kundër sundimit 40-vjeçar të familjes Assad janë përhapur në gjithë Sirinë, përfshirë edhe kryeqytetin Damask.

Forcat e sigurisë raportohet të kenë hapur zjarr ndaj demonstruesve, duke qëlluar për vdekje disa prej tyre.

Informacionet lidhur me viktimat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, ngase lëvizjet e gazetarëve thuhet të jenë kufizuar nga ana e autoriteteve.

Grupi për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka bërë të ditur për vdekjen e 55 personave gjatë javës së kaluar në qytetin Dara.

Ky qytet është bërë epiqendra protestave kundër presidentit, Bashar al-Assad, i cili e mori pushtetin nga i ati, 10 vjet më parë.

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, dënoi dhunën kundër protestuesve në Siri. “Ne do të jemi gjithnjë në krahun e popullit që manifeston pa dhunë e që nuk mund të shtypen me dhunë. Në çdo demokraci mund të ketë manifestime, ndonjëherë të dhunshme, për fat të keq. Por në asnjë demokraci ne nuk mund të tolerojmë mobilizimin e ushtrisë që të qëllojë me plumba të vërtetë kundër protestuesve. Ky është qëndrimi francez dhe ky nuk ndryshon ndaj cilitdo vend që do të bëhej fjalë”, deklaroi Sarkozy.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›