E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet Kupa, të mërkurën përcaktohen çerekfinalistet

Skuadrat më të rëndësishme të Superiores dhe Kategorisë I duhet të harrojnë rezultatet e arritura në takimet e javës së 13-të dhe të mendojnë menjëherë për Kupën. Të mërkurën do të luhen ndeshjet e kthimit në turin e dytë të trofeut të dytë për nga rëndësia në vend. Tetë skuadra do të fitojnë të drejtën për t‘u kualifikuar në çerekfinale, ndërkohë që nuk mungojnë edhe duelet e zjarrta. Në Grupi A, Tirana pret në fushën e saj Lushnjën. Bardheblutë duken më të favorizuar pas barazimit 2-2 në "Roza Haxhiu". Dinamo luan me Bylisin kryesues në Kategorinë I, skuadrën e vetme që i ka shkaktuar humbje në këtë sezon. Blutë e Muçës, që synojnë të fitojnë edhe Kupën duhet të përmbysin humbjen 1-0 në takimin e parë. Besën e pret një "shëtitje" përballë Laçit, pas fitores 0-1 në takimin e parë, ndërsa Shkumbini është fare pranë kualifikimit me barazimin 1-1 të arritur në fushën e Kastriotit. Në Grupin B, vetëm Vllaznia duket se e ka të sigurt kualifikimin. Shkodranët fituan 3-1 në ndeshjen e parë me Kamzën dhe kjo do të bëjë që ata të përqendrohen më shumë në kampionat. Në tri takimet e tjera gjithçka është e hapur. Teuta pret Partizanin pas barazimit 1-1 në takimin e parë në Tiranë, ndërsa Apolonia dhe Flamurtari do të kërkojnë të përmbysin humbjet 1-0 me Skënderbeun dhe Gramozin.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›