E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, dy gola vetëm për një pikë

Tirana bën një tjetër ndalesë të detyruar, kësaj radhe në fushën e Skënderbeut. Kampionët në fuqi të vendit nuk kanë marrë më tepër se barazimi 1-1 në Korçë, rezultat që e ka rritur në -16 diferencën nga Dinamo kryesuese. Me pikën e marrë, skuadra e Tafajt shkëputet sërish edhe nga Besa e vendit të dytë. Ndërkohë, kavajasit bënë detyrën përballë Shkumbinit, duke fituar 2-0 me gola të Mancakut dhe Xhafajt.
Bardheblutë vazhdojnë të mos i ndahen Apolonisë së vendit të tretë, edhe pse fati i ndeshjes së tyre është vendosur nga episodet. Më fatkeqi ishte padyshim ai i minutës së 34-t, kur Tefik Osmani ka devijuar gjuajtjen e kroatit Guerrib, duke nxjerrë jashtë loje portierin Nallbani. Ky ishte goli i avantazhit për Skënderbeun dhe autogoli i dytë i mbrojtësit korçar të Tiranës, në tri javët e fundit (i kishte shënuar portierit të tij edhe në javën e 11-të, në humbjen në Laç). Por goli në portën e gabuar nuk është problemi i vetëm i kryeqytetasve. Migen Memelli, i rikthyer pas një dëmtimi të gjatë vazhdon "agjërimin" në këtë edicion të Kategorisë Superiore. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar ende nuk është zhbllokuar dhe me afrimin e merkatos presioni psikologjik po ndihet gjithmonë e më shumë. Edhe pse ishte protagonist në golin e barazimit të Lilës, në të 73-n, duke bërë devijimin vendimtar me kokë, fakti është se Memellit i mungon përshëndetja e rrjetës. Kjo u pa qartë edhe në dy momente në çastet e fundit të takimit, kur nga dëshira e madhe për të shënuar, sulmuesi shpërdoroi shanse të jashtëzakonshme, që mund t‘i kishin dhënë fitoren Tiranës. Të gjithë këtyre u shtohen edhe pasiguritë në mbrojtje: nëse Nallbani nuk do të ishte në portë, Frashëri dhe Liçaj do t‘i kishin dhënë fitoren Skënderbeut. Gjithsesi, pavarësisht emocioneve dhe rasteve të pashfrytëzuara në fundin e lojës, barazimi ishte rezultati më i drejtë. Korçarët regjistrojnë rezultatin e dytë pozitiv radhazi (dy barazime), ndërsa Tirana largon sindromën e ndeshjes jashtë fushe. Në dy takimet e para të fazës së dytë, ku kanë luajtur jashtë fushe, ata kanë marrë 4 pikë (më parë kishin vetëm dy fitore dhe tri humbje). Në takimin e fundit të javës së 13-të, Besa fiton 3 pikë të thjeshta me Shkumbinin. Mancaku hapi serinë e golave në të 62-n, me një penallti të ekzekutuar saktë. Rrjeta e dytë për kavajasit u shënua nga Xhafaj në të 79-n, me një gjuajtje mjaft të bukur nga jashtë zonës. Në anën tjetër, peqinasit kanë bërë shumë pak për të marrë të paktën një barazim në këtë sfidë. Mile e kishte rreshtuar skuadrën me forca të shumta në mbrojtje dhe reagimi i miqve ka ardhur shumë vonë. Tentativat e Bakiut dhe Mujdragiç nuk kanë mjaftuar për të mposhtur portierin Orges Shehi. Në Kavajë nuk ka munguar as tensioni, kur në të 70-n lojtari i Besës, Tragaj, u godit me shishe nga tifozët peqinas, ndërsa pas fërshëllimës finale të gjyqtarit Taullau ka pasur edhe konfrontime sporadike mes disa lojtarëve të dy skuadrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›