Burg përjetë shqiptarit që masakroi çiftin italian
Gjykata e Apelit në Venecia ka konfirmuar vendimin me burg përjetë për Naim Stafën dhe 20 vjet burg për rumunin Alin Bogdeanu, të cilët u deklaruan fajtorë për vrasjen e dy bashkëshortëve të moshuar më 2007-n në Trevizo të Italisë. Për ngjarjen që në vitin 2007 tronditi gjithë komunitetin e Gorgos, ishte i akuzuar si "ekzekutor" edhe Artur Lleshi, i cili u vetëvra në burg disa muaj para se të dilte në proces. Gjykata i ka bashkangjitur edhe dënimin për pjesën civile me 600 mijë euro në dëm të të pandehurve. Ndërsa dyshimet për pjesëmarrjen e një personi të katërt në masakër "u arkivuan", pasi gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta faktuar dhe identifikuar "personazhin misterioz" të hetimit të prokurorit Umberto Palma. Ngjarja ka ndodhur më 21 gusht të vitit 2007, në Villa Durante, që ndodhet në rrugën "Sant Antonio" në kufi me Motta-n e Druante. Krimi ndodhi gjatë një tentative për grabitje kur çifti i të moshuarve refuzoi t‘u jepte çelësat grabitësve, për më tepër që shtëpia për të cilën ata kujdeseshin nuk ishte as e tyrja. Autorët që kishin marrë kokainë për të "marrë zemër" për kryerjen e grabitjes, kanë masakruar dy të moshuarit dhe janë larguar. Fillimisht, Stafa u lirua për mungesë provash, por u arrestua sërish më vonë. Madje, ai ka qenë i arrestuar edhe më parë në Itali për një përdhunim në vitin 1998. Në kohën kur u lirua, ai kërkoi dëmshpërblim 15 mijë euro. "Vrasësi nuk do të marrë asnjë euro nga ato që ka fituar në gjyq", është shprehur në atë kohë prokurori Antonio Fojadelli, duke shtuar se kishte prova të forta që Stafa kishte masakruar çiftin italian. Naim Stafa mbante në Itali një pasaportë maqedonase me emrin Ismail Jakupi kur është arrestuar në vitin 1998. Ai u akuzua atëherë për rrëmbim personi dhe përdhunim ndaj një vajze shqiptare. Pas arrestimit 33-vjeçari shqiptar qëndroi pas hekurave për dy vjet, deri në vitin 2000 kur u shpall i pafajshëm nga gjykata. Ndërsa tre muaj më parë, Stafa u masakrua me sende të forta në ambientet e burgut dhe pas një ndërhyrje kirurgjikale, ai është transferuar në Burgun e Pratos në Toskana. Sipas mediave italiane, i dënuari shqiptar me burgim të përjetshëm ka hyrë në historinë e krimit italian si "il cattivo dei cattivi" (ndër më të këqijtë). Stafa ishte dhunuar nga një grup i madh me të dënuar në të njëjtën kohë. Sipas autoriteteve të burgut, rrahja masive ka ardhur pasi shqiptari kundërshtonte në vijimësi shoqërinë me të dënuarit e seksionit të tij, duke u thënë që nuk i pranonte si miq. Tashmë, ai duhet të kalojë gjithë jetën në burg, ku duhet të përshtatet me sa më shumë të dënuar, që do vijnë e do ikin nga burgu ku ai vuan dënimin.