Besa e Luçes shfaqet në Itali
"Përtej ligjit të gjakut - Besa e Luçes", një histori faljesh dhe pajtimi u shfaq premierë në Itali në kinema "Aquila" më datë 5 dhjetor. Filmi, sjell një imazh të ri të Shqipërisë së re dhe moderne, e cila kërkon të luftojë paragjykimet. "Besa e Luçes" është shfaqur nën praninë e regjisorëve Nathalie Rossetti dhe Turi Finochiaro, shoqëruar nga protagonistët e kësaj ngjarjeje të pabesueshme, mes të cilëve edhe e jashtëzakonshmja Luçe Preçi, si dhe ambasadori shqiptar në Itali, Llesh Kola. Luçe është një grua nga Shkodra, djali i së cilës është vrarë në trazirat e vitit ‘91, në kalimin kompleks nga diktatura në demokraci në Shqipëri. Pas një rrugëtimi personal dhe shpirtëror, i cili zgjati rreth tetë vjet dhe duke ndjekur një nga aspektet më të panjohura të Kanunit, Luçe dhe e gjithë familja e saj vendosin të mos hakmerren. Nëpërmjet një riti të pajtimit, familja katolike e viktimës dhe familja myslimane e vrasësit, përfshi edhe këtë të fundit, takohen dhe premtojnë para Zotit dhe Allahut paqe dhe që nuk do të ketë më asnjë ndjenjë hakmarrjeje mes tyre po fëmijëve të tyre. I faluri e konsideron Luçen si një nënë dhe takohen gjatë festave. Sot Luçe është kthyer në një ndërmjetëse të paqes dhe tenton të pajtojë familjet që janë në gjak. Filmi ka fituar çmimin e publikut në Faito DOC Festival (Napoli, gusht 2008), çmimin si dokumentari më i mirë europian i Europës së lindjes në Astra Film Festival (Rumani, nëntor 2009), çmimin si Filmi më i mirë në "Human Life Festival" (Napoli, nëntor 2009), si dhe çmimin special të jurisë Libero Bizzarri (San Benedetto del Tronto, nëntor 2008).