“Rikthehet” Tare, nga Duka te Vata

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) - Igli Tare rikthehet të flasë për futbollin shqiptar. Ish-kapiteni i përfaqësueses thyen heshtjen e gjatë prej disa muajsh, teksa në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shpjegon arsyet se përse ka qëndruar i distancuar si dhe komenton situatën e vështirë që po kalon futbolli në vendin tonë. Tare rrëfen raportet me kandidatin për president, Rudi Vatën, analizon Kombëtaren dhe trajnerin Josip Kuzhe.
Igli, u bë një kohë e gjatë që evitoni prononcimet në mediat shqiptare, ka ndonjë motiv?
Ka disa motive, por më kryesori është fakti që nuk kam dashur të përfshihem në situatën që po kalon futbolli shqiptar. Konstatoj që shumë figura të sportit dhe në veçanti të futbollit, nuk trajtohen si duhet. Në pjesën dërrmuese të rasteve janë lënë në harresë nga vetë institucioni i futbollit, por një përgjegjësi në rastin konkret kanë edhe mediat. Shpeshherë fokusohen tek individë dhe fenomene të veçanta, duke mos u dhënë hapësirat e duhura atyre që vërtetë kanë një kontribut të madh në këtë sport. Gjithsesi, mediat i mirëkuptoj për faktin e thjeshtë se kanë ndodhur aq shumë gjëra këtë sezon në kampionatin shqiptar, saqë ka qenë e pamundur që ato të mos kalonin në plan të parë. Një tjetër motiv që më ka shtyrë të distancohem është edhe fakti që qeveria, por edhe politika shqiptare në tërësi ka qenë shumë e trazuar dhe e ka lënë futbollin jashtë vëmendjes.
A e keni ndjekur kampionatin shqiptar gjatë këtij sezoni?
Po, rregullisht. Unë vërtetë kam shumë impenjime te Lacio, por nuk mund të rri indiferent ndaj vendit tim. Për më tepër, nuk ma lejon profesioni.
Si do ta përkufizonit ecurinë e këtij sezoni?
Dua të jem korrekt që në fillim. Gjithë informacionin që disponoj, kam arritur ta marr nëpërmjet medias dhe miqve, apo familjarëve të mi që kam në Shqipëri. Me aq informacion sa kam, mund të them se kemi probleme të mëdha dhe shumë serioze. Shoh që dhuna është bërë një fenomen tejet i përhapur, shoh terrene të vështira, akuza dhe kundërakuza për trukime rezultatesh, vendime të FSHF-së, ose më saktë të organeve juridike të saj shumë të dyshimta. Të gjitha këto më bëjnë të mendoj se shumë gjëra nuk funksionojnë si duhet dhe se vitet e fundit, sidomos sezonin e fundit, kemi bërë hapa prapa. Unë nuk mendoj se është kjo rruga për të zhvilluar futbollin, që është pa diskutim edhe sporti më i dashur dhe më popullor në vendin tonë. Gjykoj që kemi shumë probleme.
Jemi në fushatë për zgjedhjet e presidentit dhe të anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv. Shumë mendojnë se situata e krijuar është edhe për shkak të fushatës, ju si mendoni?
Po, sigurisht që kjo ka një peshë specifike në situatën e krijuar, por gjithsesi, unë mendoj se këto janë rrjedhojë e një keqmenaxhimi, ose e një pune pa plan. Kam bindjen, të paktën aq sa e njoh unë situatën, se deri tani është punuar pa një projekt të qartë. Nuk ka pasur një plan konkret për zhvillimin dhe përmirësimin e futbollit jo vetëm nga qeveria, por edhe nga federata. Ky është një problem i madh.
Përballë Dukës janë Rudi Vata dhe Refik Halili, keni ndonjë parashikim për mënyrën se si mund të përfundojnë këto zgjedhje?
Nuk mund të jap një përgjigje të saktë, sepse nuk jam njohur me asnjë nga platformat e tre kandidatëve. Nëse do të jepja një gjykim, edhe mund të gaboja. Më vjen pak habi që asnjëri prej tyre nuk ka shpalosur një projekt konkret me pika të qarta. Ose më saktë, nuk i mëshojnë fort atij projekti që mund të kenë. Në një garë të gjithë mbrojnë dhe reklamojnë projektin që kanë, duke e argumentuar atë. Personalisht kam dëgjuar vetëm akuza, apo kritika për fenomene negative, që vërtetë ekzistojnë, por kam vënë re se alternativat për t’i zgjidhur këto probleme mungojnë, janë sipërfaqësore ose nuk ka fare.
Rudi Vata ka thënë se do të përpiqet që të afrojë figura të shquara të futbollit shqiptar, madje me disa prej tyre ka pasur edhe konsultime gjatë kësaj kohe. Ai është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me ju, ose me futbollistë si Bledar Kola. Ju keni biseduar me të dhe çfarë keni diskutuar?
Së pari, dua të them se unë nuk jam pjesë e asnjërës palë dhe nuk bëj pjesë në projektin që ka Rudi Vata për fushatën apo edhe pas saj. Është e vërtetë, unë kam pasur një bisedë disa kohë më parë me Vatën dhe ai më ka thënë se, nëse unë do të hyja në garën për president, ai do të tërhiqej. Unë i komunikova se posti i presidentit të FSHF-së nuk është në ambiciet e mia dhe se nuk do të isha pjesë e kësaj gare. I kam këshilluar miqësisht që të hartojë një projekt serioz dhe afatgjatë si dhe të përpiqet që të krijojë edhe lidhje jashtë sportit, pra të ketë edhe mbështetje politike. Sigurisht që duhet të ketë edhe një buxhet të konsiderueshëm financiar për të përballuar fushatën. Këtë nuk ia thashë vetëm për të fituar zgjedhjet, por për të bashkërenduar një plan së bashku me qeverinë, gjithnjë nëse ajo do të ishte e gatshme, në mënyrë që t’i japë futbollit një impuls të ri zhvillimi. Kjo ka qenë pak a shumë biseda ime me Rudi Vatën.
A mendoni se Vata ose Halili janë në gjendje të fitojnë përballë Dukës?
Nuk mund të përgjigjem me saktësi, sepse nuk i njoh hollësisht pozitat e të tre kandidatëve. Ajo që mund të them unë është se ka ardhur koha që gjërat në federatë të ndryshojnë.
Kishte nga ata që pritnin një kandidim tuajin për kreun e FSHF-së, ju vetë e kishit menduar një gjë të tillë?
Shikoni, aktualisht unë kam një pozicion dhe një detyrë të rëndësishme, në një klub të rëndësishëm. Klubit i kam parashtruar një projekt dhe do të përpiqem që së bashku me presidentin e Lacios, Lotiton, ta zbatojmë në mënyrën më të mirë. Padyshim që këtë kohë po e shfrytëzoj që të fitoj edhe eksperiencë në rolin e drejtuesit. Përveç kësaj, ka edhe disa motive të tjera, për të cilat unë mendova se nuk ishte e udhës të bëhesha pjesë e kësaj gare. Jo në këtë kohë, jo në këto kushte, është shumë e thjeshtë.
Për ju, cila do të ishte zgjidhja e duhur që futbolli shqiptar të kalojë këtë ngërç?
Ndërhyrja e qeverisë. Ndërhyrje me projekt të qartë dhe me investime serioze jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në legjislacion. Vetëm kështu mund të ndryshojë situata. Për këtë duhet një bashkëpunim i qartë mes federatës dhe shtetit, gjë që unë e shoh të vështirë të ndodhë.
Pse?
Sepse mendoj se futbolli në Shqipëri është kthyer në një biznes dhe konsiderohet si një biznes. Për mua kjo është e gabuar, por edhe nëse shihet i tillë, duhet të trajtohet si i tillë. As kjo gjë nuk ndodh.
Mund të jeni pak më i qartë?
Kam kuptuar se shumë gjëra ndodhin për interesa të ngushta, bëhen marrëveshje të nivelit shumë të ulët, tolerime të pavlera, ose që kanë qëllim vetëm një balancë të momentit. Kjo është e gabuar. Në këtë mes nuk ka asnjë qëndrim largpamës dhe nuk ka se si futbolli të zhvillohet siç duhet.
E keni ndjekur Kombëtaren muajt e fundit?
Po, sistematikisht.
Si do ta përkufizonit trajnerin Kuzhe?
Pozitiv. Dua të them se përpiqet që të bëjë një punë të mirë, duke evituar që të ngarkojë atmosferën. Megjithatë, ajo që nuk më pëlqen te Kuzheja është fakti se është shumë i paqartë në objektivat që ka. Para shortit lexova disa herë në shtypin sportiv, ku thoshte se ëndërronte kualifikimin. Pas shortit u tregua diplomat dhe nuk përmendi asnjë objektiv konkret. Dakord, unë e mbështes atë kur thotë se Shqipëria duhet t’i bëjë gjërat gradualisht dhe se duhet evituar tensioni, por ama edhe ai duhet të jetë më i vendosur dhe më i ekuilibruar. Kuzheja duhet të ketë mësuar patjetër diçka nga paraardhësit...
Çfarë?
Duhet ta dijë mirë se tifozët shqiptarë janë të mrekullueshëm, por ama kemi një ves tonin të keq që, pas çdo fitoreje flasim për kualifikim. Duhet të dijë të ruajë balancat edhe me publikun e sportdashësit, por ndërkohë i duhet që të arrijë edhe rezultate. Kjo nuk është e lehtë. Gjithsesi, unë kam përshtypje pozitive për të.
Shpesh thuhet se një problem për Kombëtaren tonë është mungesa e një brezi të mirë lojtarësh. Ose më saktë, nuk ka brezin e dikurshëm të lojtarëve, atë të para pesë apo gjashtë viteve. Ju si mendoni?
Konstatim i gabuar. E them me sinqeritet. Shqipëria ka një brez shumë të mirë lojtarësh, të cilët nëse menaxhohen dhe trajtohen si duhet, mund të bëjë vërtetë gjëra të mira. Por kur ka futbollistë si Migjen Basha, apo Edgar Çani që shkëlqejnë në Itali, për të cilët FSHF-ja as që do t’ia dijë, ky nuk është problem brezi pastaj. Më duket absurde që një lojtar si Migjen Basha (Frozinone), i cili për mendimin tim është i gatshëm që të luajë që tani në përfaqësuese, nuk kontaktohet kurrë nga federata. Unë e kam takuar atë dhe kam biseduar gjatë. Ai ka shprehur dëshirën për të luajtur me Shqipërinë, por nuk ka pasur asnjë interesim nga FSHF-ja. Kjo është e pabesueshme. Për shkak të kësaj neglizhence edhe Besnik Hasi mund të mos kishte luajtur kurrë me Shqipërinë.
Përse?
Besoj të gjithë e dinë që Hasi ka ardhur në një moshë të madhe në Kombëtaren shqiptare. U desh një ndërhyrje e imja, pasi më kishin folur miq për të, por më pas e pashë edhe në disa ndeshje. Ishte i shkëlqyer. Këmbëngula edhe në FSHF dhe më pas erdhi në përfaqësuese, madje rezultoi një ndër më të mirët që ka veshur fanellën e Kombëtares.
Presidenti i FSHF-së është kritikuar shpesh për mungesën e demokracisë në institucionin e futbollit dhe kjo më pas ka sjellë edhe pasoja. Cili është mendimi juaj?
Po ju përgjigjem me pyetje. Kush i cakton trajnerët e Kombëtares?
Federata.
De jure po, por jo de fakto. De fakto i cakton Duka dhe të tjerët pranë tij thjesht miratojnë. Kohët e fundit trajnerët janë përcaktuar nga një zyrë avokatie në Austri, të cilën nuk kam dëshirë ta komentoj. Por nuk mund të rri pa përmendur se nuk kanë qenë specialistët e FSHF-së, ata që kanë aprovuar apo studiuar trajnerët që drejtojnë Kombëtaren tonë. Thjesht ata janë vendosur në krye të ekipit dhe kaq. Kjo, por edhe arsye të tjera na bëjnë që të kemi shumë probleme. Kjo është një nga ato arsye që Sllovenia, me një kampionat shumë më të dobët se i yni, të shkojë shumë larg me kombëtaren e saj. Kjo përfaqësuese, ndaj së cilës treguam se ishim më të mirë dy vite më parë, në 15 vitet e fundit ka qenë dy herë shumë pranë kualifikimit në kompeticione shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Një hap të tillë Shqipëria nuk e ka bërë kurrë.
Duka i është përgjigjur kësaj çështjeje, duke thënë se ndryshe nga Sllovenia, në Shqipëri shteti nuk ka investuar sa duhet...
Tani, ky tip argumentimi më duket njësoj si të marrësh një njeri që shet vezë dhe t’i thuash që të bëjë projektet për të zhvilluar futbollin ose anasjellas, t’i thuash një futbollisti të shesë vezë. Kjo nuk ka sens, nuk qëndron. Nëse ka plane afatgjata dhe serioze, gjithçka arrihet dhe bëhet shumë më tepër se kaq.
Ju nuk është se e thoni këtë edhe për shkak të përplasjeve të mëparshme me Dukën, apo jo?
Absolutisht jo. Shikoni, unë asnjëherë nuk e kam mohuar se Duka i dha një fizionomi tjetër federatës, se Kombëtarja gjithashtu trajtohet shumë më ndryshe nga më parë. Akomodohet në hotele më luksoze dhe kushtet i ka më të mira. Madje duhet të pohoj se edhe investimet dhe të ardhurat në futboll, pas ardhjes së tij ndryshuan ndjeshëm. Por ama një gjë është e qartë: tani duhet një ndryshim, sepse koha po tregon se drejtuesit aktualë të FSHF-së nuk po mundin të bëjnë atë që duhet për futbollin.
A do të riktheheni ju një ditë në Shqipëri si protagonist në futboll?
Besoj po, por do ta bëj kur të jem gati dhe kur të kem një strategji të qartë, e cila të mund ta ndihmojë futbollin. E sigurt është që do të rikthehem si drejtues, por se në çfarë pozicioni, këtë nuk mund ta përcaktoj që tani.
Kritikat : “Tafajn e kam shok, por në derbi më shokoi”
Kishte vendosur që të shihte një ndeshje të kampionatit shqiptar nga fillimi deri në fund, pasi më së shumti informohej për rezultatet apo për ngjarjet nga rubrikat sportive në TV, ose nga shtypi i shkruar. Tare nuk donte ta humbiste rastin për të parë derbin Tirana-Dinamo 1-2, por në fund mbeti i shokuar nga ngjarjet që ndodhën në fushë. Ish-kapiteni i Shqipërisë e ka cilësuar të paprecedentë sherrin në fund të takimit dhe pohon se ka mbetur i zhgënjyer nga miku i tij, Alban Tafaj. “Do ta mbaj mend gjatë derbin mes Tiranës dhe Dinamos. Ishte një ndeshje që ia vlejti ta shihje deri në minutat e fundit, por më pas më tronditi. – ka deklaruar Tare – Nuk po u besoja syve kur pashë Alban Tafajn, ish-trajnerin e Tiranës, që të reagonte në atë mënyrë. Sinqerisht, nuk e besoja atë që po ndodhte.” Ish-futbollisti e ka cilësuar një anti-reklamë incidentin që ndodhi në fushë, duke kritikuar edhe Tafajn, megjithëse këtë të fundit e ka shok fëmijërie. “Nuk e di saktësisht se çfarë e bëri Tafajn që të reagonte në atë mënyrë dhe të bënte veprime të tilla. Unë jam rritur me atë dhe e respektoj tej mase, ndaj nuk po e besoja atë që po ndodhte. Ndoshta ka pasur një motiv vërtetë shumë të fortë, por gjithsesi veprimi i tij ishte i papranueshëm. Më vjen keq, sepse kjo më pas ndikoi edhe në ekip dhe tek ai vetë, por gjëra të tilla janë të patolerueshme”, - tha ish-futbollisti. Më tej Tare e ka komentuar dhunën në futbollin shqiptar si pasojë e një keqmenaxhimi të federatës dhe të vetë klubeve. “Nëse gjërat bëhen të qarta që në fillim dhe nëse tregohesh korrekt me rregulloren që nga fillimi, nuk mendoj se ngjarje të tilla mund të ndodhin. Dhunë dhe tension ka edhe në Itali, por ama e dinë të gjithë se për çdo veprim kundër rregullores do ndëshkohesh, ndaj edhe frenohen”, - ka sqaruar Tare.
Igli Tare
Datëlindja: 25.07.1973
Vendlindja: Vlorë
Gjatësia: 192 cm
Karriera si futbollist: Partizani, Manhaim, Ludvigshafen, Karlsruhe, Fortuna Dyseldorf, Kaizerslautern, Breshia, Bolonja, Lacio
Me Kombëtaren: 67 ndeshje, 10 gola
Drejtues: Aktualisht drejtor sportiv i Lacios
DETAJET
2 talente në Itali- Migjen Basha (Frozinone) dhe Edgar Çani (Piaçenca), mund të bëhen pjesë e Kombëtares shqiptare. “Nëse FSHF-ja kryen si duhet punën e saj, jam i bindur se këta futbollistë mund të jenë pjesë e përfaqësueses. Me Bashën kam biseduar vetë dhe është i gatshëm të luajë për Shqipërinë”, - është shprehur Tare.
Shkurtaj - Nuk ka dashur të komentojë kalimin mes polemikave të Shkurtajt nga Olimpiakosi te Lacio, por e ka cilësuar atë si një talent të vërtetë. “Nuk mendoj se është momenti i duhur për të diskutuar për transferimin Shkurtajt. Për të mund të them se është një futbollist i shkëlqyer, me të dhëna vërtetë mbresëlënëse. Nëse do të vazhdojë të punojë me këto ritme, shumë shpejt do të arrijë majat e futbollit. Këtë e them me bindje”, - ka deklaruar Tare.
Ëndrra -Ish-kapiteni ndonjëherë është më realist seç duhet, por nuk e mohon se ka një ëndërr të vjetër në sirtar. “Unë jetoj me futbollin në Shqipëri dhe e ndjek rregullisht atë me aq sa mundem. Ëndrra ime është që ta shoh Kombëtaren tonë sa më mirë. Ajo na përfaqëson të gjithëve dhe sytë i kemi përherë te kjo skuadër. Uroj dhe shpresoj shumë që këtë edicion të bëjmë vërtetë diçka të mirë dhe të paraqitemi denjësisht”, - ka deklaruar Tare.
Partizani -Ka luajtur me këtë skuadër dhe nuk mundet kurrsesi ta lërë pa përmendur Partizanin. “Më vjen keq që është në këto pozita dhe më vjen keq gjithashtu që edhe këtë sezon nuk po bën atë që prisnin tifozët. Por keqardhja më e madhe është që ky klub tani nuk ka më ambientet dhe terrenet e veta. Nuk arrij ta konceptoj dot këtë gjë. Është e paimagjinueshme që një nga akademitë më të mëdha të futbollit në vendin tonë, të jetë në prag shkatërrimi dhe të mos funksionojë si duhet. Unë mendoj se ky është problemi më i madh i Partizanit dhe duhet zgjidhur urgjentisht, sepse në të kundërt do të ishte një humbje shumë e madhe për futbollin shqiptar”, - është shprehur Tare.
2 vite -Igli Tare prej dy vitesh kryen rolin e drejtorit sportiv te klubi i Lacios. Ai është shqiptari i parë që ulet në një post kaq të lartë në një nga ekipet më të njohura italiane.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Premte, 26 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili