E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet qetësia në kampin e Tiranës

Tiranë - Skuadra e Tiranës i është rikthyer dje stërvitjes e qetë pas konfirmimit të Refik Halilit në krye të klubit edhe për një sezon tjetër. Futbollistët e skuadrës kampione janë më të sigurte për të ardhmen e tyre, pasi financat e klubit do të sigurohen nga Halili dhe bashkëpunëtorja e tij Shefikat Ngjela.

Dita e djeshme shënoi stërvitjen e parë që pas përballjes me Vllazninë në javën e fundit të kampionatit që sapo u mbyll, ku Tirana u shpall kampione. Të vetmit lojtarë që nuk morën pjesë në stërvitje ishin Agolli, Devolli dhe Muzaka. Drejtuesit e klubit sqarojnë se atyre u është dhënë leje për arsye personale.

Stërvitjen e ka ndjekur nga afër edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili pas seancës është shprehur se do të rikonfirmojë pjesën dërrmuese të futbollistëve që kontribuuan në fitimin e titullit kampion.

“Synoj të ndërtoj një skuadër të madhe, e cila të shfaqet ambicioze edhe në Ligën e Kampioneve. Çështja e emërimit të trajnerit të ri do të zgjidhet brenda pak ditësh”, premton Halili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›