Rikthim në origjinë për të kaluar krizën e teatrit
Reformimi i teatrit, për mjaft profesionistë do të thotë mbi të gjitha hapje ndaj tendencave të reja, dalje nga skemat, përballje me botën. Aktorja Ema Andrea, njëkohësisht edhe pedagoge në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, e ka nisur individualisht këtë rrugë qysh në fillesat e saj si aktore. Ka kërkuar, ka studiuar dhe ka zbuluar se për të interpretuar, për t’u ndjerë e vërtetë prej publikut, një gjë është e sigurt, duhet të njohësh ritualet e vendit nga vjen. Të kthehesh në origjinë dhe prej aty të zbulosh gjithçka të domosdoshme dhe të vlefshme për të sotmen. Në konferencën shkencore që u mbajt dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar me temë “Tradita etnokulturore dhe bashkëkohësia”, Andrea ligjëroi temën “Ritualet shqiptare si element i parateatrit”, një temë thuajse e paprekur nga studiuesit tanë. Për Emën, shtysa për t’u marrë me këtë temë e ka fillesën tek dëshira për t’u rritur si aktore. Më pas kur nisi punë si pedagoge në akademi, ky studim u kthye në një detyrë për të. “Jo vetëm studiuesit e teatrit, por deri edhe shkrimtarë të njohur kudo në botë, i kthehen riteve për të zbuluar origjinalitetin. Në Shqipëri, kjo temë gjithnjë më ka bërë kureshtare, por nuk kam gjetur asnjëherë shtegun për të bërë lidhjen. Tani që e kam nisur, besoj se do t’u jap shtysë studiuesve shqiptarë për ta vazhduar më tej. Ne duhet të dimë se çfarë ndodh me teatrin në vendet në të cilat antropologjia e ka bërë lidhjen e ritualit me teatrantin, performuesin”, komenton ajo.
Dhe në vazhdën e ligjërimit të saj, Andrea ngriti disa pyetje si: A ka elemente të ritualit si pjesë e kulturës së teatrit tonë (këtu nuk ka parasysh sjelljen ritualit si të tillë në skenë)? A do të ishte një fillim studimi për aktorët gjuha e gjesteve të kulturës popullore? Sipas saj, në Shqipëri, rituali dhe teatri nuk kanë një vazhdimësi të natyrshme siç ka në historinë e teatrove të ndryshme europiane. “Përpjekjet për ta studiuar, aq sa është e mundur, ndoshta do të krijonin një shteg më të identifikueshëm për profesionistët dhe studentët shqiptarë të teatrit, si në teknikën autoriale, ashtu edhe në rizbulimin e autenticitetit të sjelljes përfaqësuese”, shprehet aktorja. Ajo mendon se sot, ritet i gjykojmë nga një këndvështrim i distancuar dhe i largët. Përpjekja e saj, nisma që ka ndërmarrë, ka të bëjë me vështrimin e riteve nga të dyja kahjet: nga këndvështrimi teatral do të donte të shihte ritet e nga ai i riteve të shihte teatrin. “Ky studim mbi ritualet shqiptare si element i parateatrit merr vlerë për mua sepse ne ende nuk kemi një metodë të stabilizuar të punimit të aktorit, të estetikës teatrale. Historia e teatrit tonë fatkeqësisht është e varfër dhe kalimi nga këto rituale apo ceremoni popullore në teatër nuk ka ardhur në mënyrë organike, siç ka ardhur në Greqinë e vjetër, apo në të gjithë Europën. Të tilla studime janë të rëndësishme edhe për të krijuar një mënyrë të kuptuari të teatrit dhe kjo mbartet vetëm nga metodat e vjetra. Kuptimi i këtyre ritualeve, gjesteve, mënyrës së sjelljes e të vepruarit nga koha në kohë, kujtesa sociale, do ta ndihmonte shumë aktorin të ishte vetvetja. Unë do të doja që nesër, kur një aktor të dalë në skenë të thonë: ky është aktor shqiptar. Ndoshta ky rikthim në origjinë do të bënte që Shqipëria ta kalonte krizën e teatrit”, komenton në Ema Andrea. Ajo çka aktorja ndien si problematikë jo vetëm në fushën e aktrimit por edhe në fusha të tjera, është se metodat ne i kemi të mbartura. “Edhe pse janë metoda shumë të mira, gjithë sa këto metoda na sjellin ose sugjerojnë ne mund t’i gjejmë vetë në identitetin e sjelljes së shqiptarit, pra tek shqiptari si performues”, vijon më tej ajo.
Në këtë nismë, ajo çka më tepër i intereson asaj, ka të bëjë me gjuhën e trupit, gjestet dhe mënyra e përdorimit të tyre. Ajo shpjegon se kodet e komunikimit të një shoqërie janë të ndryshme, por ato natyrshëm transmetohen në teatër e dramaturgji. Ndaj duhen zbuluar. Këtë nismë që ka ndërmarrë Ema Andrea shpreson që një ditë ta kurorëzojë me një botim sado modest, por mbi të gjitha, të çelë një shteg për të gjithë ata që do të duan ta ndjekin.
#