E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dërgon policinë në shtëpinë e Dash Pezës

Vendimi, pas kalimit të banesës private në fondin e trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës konfiskon banesën e deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur është kërkuar ndihma e policisë së kryeqytetit për të ndërhyrë në këtë banesë. Forca të shumta policie rrethuan për një orë banesën në Pezë, pak kilometra larg Tiranës, ku banon aktualisht kryetari i PS-së, Edi Rama. Banesa në emër të deputetit socialist, Dashamir Peza, nga ku prej kohësh përdoret për banim nga Rama është rrethuar rreth orës 10:00 nga tre furgonë policie, mes të cilëve ndodhej dhe oficeri i policisë, Krenar Ahmeti. Nga ana e saj, policia e argumentoi këtë fakt thjesht një praktikë pune që ndiqet në të tilla raste kur kërkohet sekuestrimi i një godine.

Reagimi i Pezës

I pyetur nga media, deputeti Peza theksoi se policët vetëm kanë paraqitur një vendim qeverie dhe asnjë shkresë si mandate policie e shkresa të tjera. Sipas tij, synim është sekuestrimi i banesës, me një vendim qeverie për llogari të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Peza ka sqaruar se për këtë arsye, një punonjës i Institutit të Monumenteve të Kulturës erdhi i shoqëruar nga forca të shumta policore. “Punonjësi ka ardhur me një vendim qeverie pa asnjë dokumentacion ligjor. Nuk kam marrë asnjë njoftim më parë, ndërkohë që ata nuk pranojnë të japin shkresë, ku të më kërkojnë dorëzimin e shtëpisë”, ka deklaruar Peza, të cilit i janë cenuar të gjitha të drejtat e njeriut, pasi minimumi duhet të kishte një paralajmërim. Sipas deputetit socialist, banesa e tij është ndërtuar nga të parat në vitin 2001 në tokën, pronë e stërgjyshërve të tij. Deputeti vuri në dukje se toka i është kthyer nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe kjo është e dokumentuar dhe hipotekuar. “Kjo është pronë e stërgjyshërve, katragjyshërve që babai, më pas ma kaloi mua”, tha Peza. Më tej, ai shtoi se ka prova të fotografuara nga ai vetë për çdo veprim të djeshëm nga ana e policisë. “Deri tani jam në pozicionin e vëzhguesit, nuk po ndërhyj. Policia erdhi paraditen e sotme (djeshme), dhe vetëm me një shkresë qeverie. Më pas kanë ushtruar një presion dhe trysni të paimagjinueshme, por fundja këta policë nuk janë gjë tjetër veçse viktima”. Sipas Pezës, shtëpia nga ana e dokumentacionit është në rregull, përveç faktit që ministrat e qeverisë “Berisha”, i kanë hequr statusin e monumentit të kulturës që gëzonte prej vitesh. “Banesa theksoj se nuk është pronë shtetërore, nuk ndodhet në listën e monumenteve të kulturës, u hoq nga lista me urdhër të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Bujar Leskaj, e më pas me firmë të ish-drejtorit të monumenteve të kulturës, Apollon Baçe. Sipas Pezës, ky kontroll nuk ka baza policore, por politike dhe se është një shantazh i turpshëm që po bëhet nga ana e policisë. “Kjo banesë është rrethuar dy herë nga fashistët, me këtë të sotmin, ky është rrethimi i tretë nga fashistët”, u shpreh Peza.

Ndërhyrja e policisë

Policia ka reaguar rreth çështjes së banesës së deputetit socialist, Dashamir Peza. Sipas një njoftimi nga Drejtoria e Policisë së Policisë së Qarkut, Tiranë, pjesëmarrja e policisë së sekuestrimit të godinës në Pezë është bërë me qëllim të mbështesë punonjësit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që po vepronin në kuadër të një vendimi qeverie. Policia tha se në bazë të shkresës Nr. 4470/1, të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga neni 4 dhe 46 i Ligjit Nr. 9749 “Për Policinë e Shtetit”, strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, kanë mbështetur punonjësit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilët po merrnin masa për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 323 datë 12.05.2010, “Për kalimin në përgjegjësi, administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Muzeut të Konferencës së Pezës”. Gjatë veprimtarisë së tyre, përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk janë penguar nga asnjë person i interesuar dhe për pasojë nuk ka qenë e nevojshme asnjë ndërhyrje policore. Gjatë gjithë kohës, punonjësit e policisë kanë qenë vetëm prezent në afërsi të këtyre ambienteve. “Sqarojmë opinionin publik, si dhe median që i ka atribuuar forcave të policisë kryerjen e procedurave për sekuestrim ambientesh apo për veprime të tjera, se praktika të tilla, nuk janë në procedurat standarde të Policisë së Shtetit, në rastet e mbështetjes të institucione qendrore të administratës publike apo të njësive të qeverisjes vendore. Theksojmë se veprimet e djeshme të strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, janë një praktikë normale pune në mbështetje të institucioneve qendrore dhe vendore të administratës publike dhe të pushtetit vendor”, deklaroi policia.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›