E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preç Zogaj sjell ngjarjet politike 2005- 2009, në Të gjithë nëpër vendet e tyre

Marrëdhëniet politike të periudhës së 4 viteve të fundit në Shqipëri, në botimin më të fundit të shkrimtarit dhe politikanit Zogaj

Zhvillimet kryesore politike, por edhe ngjarje të tjera të rëndësishme të kohëve të fundit janë sjellë edhe njëherë për publikun, kësaj radhe nga pena e shkrimtarit dhe politikanit Preç Zogaj. Dje u bë promovimi i librit të tij të ri të titulluar Të gjithë në vendet e tyre,

një botim ky i cili është në vazhdën e librave të mëparshëm të së njëjtës kolanë. Autori ka vënë në fokus ngjarjet dhe marrëdhëniet politike të periudhës 2005-2009. Në faqet e librit nuk mungon as analiza, që ndërthuret me fakte dhe protagoniste të jetës politike. Vetë jeta ime profesionale është ndarë midis gazetarisë dhe letërsisë dhe duke qenë se kam qenë i angazhuar në politikë unë e kam parë më afër këtë situatë politike gjatë katër viteve. Ky libër ka qenë një mision, mbase duket një fjalë e madhe por të vërtetën unë e kam parë në mënyrë modeste, duke qenë politik, duke qenë shqiptar dhe aktor i jetës politike jam munduar të dokumentoj historinë apo kronikën e saj. E kam ndier si detyrim të shkruaj për zhvillimet politike dhe së bashku me kolanën time artistike, kam dhe kolanën time të librave politik, u shpreh gjatë fjalës së tij Zogaj. Më tej duke folur mbi botimin tij më të fundit, ai u shpreh se veçse pasqyron disa nga zhvillimet kryesore politike në periudhën 2005-2009, respekton kronologjinë politike dhe pse në këtë libër ka një fill që organizon të gjithë kolanën. Në rastin e fundit kemi të bëjmë me disa procese që kanë sjell në shpërbërjen e spektrit politik në disa aspekte. Kjo është një dukuri që ka shumë analizë jo vetëm nga unë, por edhe nga figura të shquara të politikës. Kemi një të veçantë, pasi spektri i vjetër politik fillon të shpërbëhet dhe të shihet qartë prirja e ndërtimit të një kotonie të re siç themi ne në gjuhën profesionale. Jeta politike shqiptare na tregon se akoma nuk është stabilizuar me kuptimin klasik të fjalës ka shumë kryqëzime mbi të djathtën dhe të majtën. Ky libër tenton të sjell disa fakte, nuk pretendoj se kam sjell botim shfrenues të këtij fenomeni, por janë sjell disa fakte dhe nëpërmjet tyre kemi ndërtuar një fabul, që është fabula e lëvizjes së gjallë politike gjatë këtyre viteve, theksoi ndër të tjera shkrimtari dhe politikani Preç Zogaj. Analistit Henri Çili theksoi se elementi kryesor i këtij libri është fakti që ka një autopsi të fenomenit politik shqiptar, i cili shpesh herë është i mbuluar nga marrëdhëniet publike, nga zhurma, propaganda dhe nga agjenda e ngjarjeve dhe ku shpesh kanë një pamje të trishtë të këtij realiteti. Preç Zogaj është koherent në mënyrën sesi e shikon tërësinë e ngjarjeve, është intuitiv për të parë shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve. Universiteti Europian i Tiranës ka kënaqësi të veçantë të botojë përmbledhjen e pesë librave të parë dhe përgatiti publicistikën 20-vjeçare të Preç Zogajt, e cila për  nga cilësia dhe fuqia e refleksionit për mendimin tim është diçka e klasit të parë. Gjëja e fundit që doja të thosha është inkurajimi i të shkruarës, i derivateve, i publikimeve mbi tranzicionin shqiptar pasi koha kalon shpejt dhe shumë pak shkruajnë mbi atë tranzicion, u shpreh analisti Çili. Në vazhdën e librave të mëparshëm të së njëjtës kolanë, Preç Zogaj sjell si shkrimtar dhe si dëshmitar pamjet e një bote që rrotullohet non stop në sytë e publikut, siç është politika, por megjithatë, mbetet e panjohur dhe e huaj për shkak të hendekut që ka krijuar me publikun. Universiteti Europian i Tiranës dhe shtëpia botuese Dita 2000 organizuan dje në mjediset e hotel Rogner prezantimin e librit të politikanit dhe shkrimtari Preç Zogaj, i cili ka një kolanë librash politik si; Rënia e zgjedhjeve (1997), Vera e përjetshme (1998), Lufta civile (1999), Paradhoma e një presidenti (2001), Nga hiri (2003), Finalja (2005).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›