E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i Haradinajt shton shpresat për më shumë suksese

Rikthimi i Ramush Haradinajt në skenën politike, vlerësohet nga analistët politikë, si një injeksion që shton shpresat për më shumë suksese. Sipas analistit, Driton Lajçi, Haradinaj, duhet që të inkuadrohet drejtpërdrejt në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa zyrtarët e AAK-së, thonë se vetë Haradinaj do të flas për inkuadrimin e tij në proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Ish kryeministri Ramush Haradinaj, është kthyer në Kosovë në një moment kompleks, në një moment të shtetndërtimit dhe të fillimit të dialogut me Serbinë me lehtësimin e Bashkimit Evropian, prandaj përfshirja e tij në këto procese, është shumë e rëndësishme. Kështu shprehet, analisti Driton Lajçi, i cili konsideron se Haradinaj duhet të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në ekipin e kryeministrit Hashim Thaçi.

“Unë mendoj se është me rëndësi që ai të përfshihet në dialog politik direkt dhe të jetë në një ekip me kryeministrin Hashim Thaçi si pjesë e delegacionit politik për të negociuar me Serbinë”, tha Lajçi për Radio Kosovën.

Fakti që nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala është emëruar koordinator në dialogun me Serbinë, sipas Lajçit, tregon se ky subjekt politik dhe kryetari i tij, do të përfshihen në këto procese.

Ai tha se përfshirja e Haradinajt është e domosdoshme, edhe për faktin se një proces i rëndësishëm, çfarë është ai i dialogut me Serbinë, kërkon stabilitet politik dhe legjitimitet të plotë dhe të fortë.

“Përfshirja e tij me kredibilitet personal dhe me fuqinë parlamentare që e ka, do të ishte një injeksion politik e vazhdimit të këtij procesi dhe me shpresa të shtuara dhe me gjasa të rritura se mund të dalim të suksesshëm”, tha Lajçi.

Nga ana tjetër, në AAK, nuk flasin për mënyrën se si do të jetë i përfshirë Haradinaj në këto procese. Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi, tha se tani flet vetë Haradinaj.


“Tepër mirë që zoti Haradinaj është këtu, dhe askush nuk ka nevojë të flas në emër të tij. Ai së shpejti do të flas vetë, do ta shpalos vetë vizionin e tij dhe mënyrën se si e sheh ai kontributin e tij. Sido që të jetë, Haradinaj ashtu siç ka bërë çdo herë, do të dijë edhe kësaj radhe që kontributin ta jap në të mirën e vendit”, tha Kadaj-Bujupi.

Ish kryeministri Haradinaj, me të arritur në Kosovë ka thënë se meqenëse është i lirë të punojë, do të bëjë çdo gjë që është e mundur, për ta rritur kualitetin e qeverisjes në vend. Ndryshe, ka disa muaj që përmendet mundësia e një koalicioni të ri, ndërmjet PDK-së në pushtet dhe AAK-së në opozitë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›