Rikthimi në FIFA, i hap rrugën Kosovës
Rikthimi i Shqipërisë në FIFA është më i rëndësishëm nga sa mund të mendohet. Heqja e pezullimit lidhet edhe me një çështje madhore për popullin shqiptar: synimin e Federatës Kosovare të Futbollit për anëtarësim në FIFA. Krerët e futbollit kosovar kanë përfunduar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të kërkuar anëtarësimin me të drejta të plota në "qeverinë" e futbollit botëror. Kjo është pohuar edhe nga sekretari i FFK-së, Eroll Salihi. Prezenca e Shqipërisë pranë drejtuesve të futbollit kosovarë është shumë e nevojshme, pasi FSHF-ja ishte përcaktuar mbikëqyrëse për përshtatjen e statutit të FFK-së me statutin e FIFA-s dhe për të ndihmuar në ngritjen e strukturave të nevojshme për një federatë që synon të jetë anëtare. Ndërkohë, presidenti i Federatës Polake, Mikal Listkieuicz, u shpreh i lumtur që ndihmoi Shqipërinë në momentin e vështirë të pezullimit. "Në prag të Euro 2008 do të luajmë tri miqësore, njëra prej të cilave është me Shqipërinë, të cilën jemi të lumtur ta ndihmojmë pas heqjes së pezullimit", tha Listkieuicz.