E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi në Kuvend, Arvizu 90 minuta takim me Ramën

Pas një takimi me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, vetëm tre ditë para nisjes të sesioni të ri parlamentar, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka qenë i drejtpërdrejtë me qëndrimin e tij për pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend, duke deklaruar se ky vendim do të bëjë të mundur plotësimin e reformave të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
 

Ambasadori Arvizu, i cili mbërriti në selinë e PS-së, rreth orës 11.30, me ftesë të zotit Rama tha në një prononcim për mediat, se në takimin me dyer të mbyllura prej 90 minutash, kreu i PS-së, e kishte informuar për axhendën politike të opozitës në parlament. Ambasadori deklaroi se u diskutua gjerësisht për situatën politike dhe se ai kishte besim në hapat që do ndërmerren, por se gjërat nuk janë në dorën e tij.
 

“Ne patëm një disktuim shumë të ngrohtë, ai është shumë i hapur me mua rreth opinioneve të tij. Mendoj se vendimi i PS-së, është shumë konstruktiv. Parlamenti duhet të jetë forma kryesore për diskutimin e axhendës kombëtare, ligji, procesi ligjor, është vetëm një pjesë, implementimi i tij është gjithashtu i rëndësishëm. Unë mendoj se z.Rama do të përshkruajë vetë axhendën e tij legjislative, ky është vendimi i tij, as i imi as i komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se ai është në favor të axhendës për reformat drejt integrimit”, u shpreh Arvizu.
 

Pas takimit, kreu i PS-së, Edi Rama nuk pati një propozim për mediat, por zyra e shtypit në selinë rozë informoi se në takim, kryetari Edi

Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të saj si edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste, lidhur me disa shqetësime me interes kombëtar e publik. Sipas njoftimit, bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë që Parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›