E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi tek rugovizmi, rikthimi në rrugë të mbarë i LDK-së

Anëtarësia e LDK-së, e mashtruar nga propaganda e tetor-nëntorit 2007, sivjet do të kthehet në bazën e saj, aty ku që 20 vjet u angazhua me sakrifica të mëdha në krah të Presidentit Rugova, promotorit të pavarësisë së Kosovës

Jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe shumica e anëtarësisë së LDK-së, janë befasuar me mënyrën e fushatës që po zhvillohet për këto zgjedhje. Kjo fushatë, sipas Lutfi Hazirit, po bëhet në mungesë të tolerancës minimale të PDK-së dhe jotolerancës midis koalicionit aktual qeveritar. Mua nuk ma merr mendja se problemi është toleranca ose jotoleranca, por fjala është për një konflikt joparimor, siç nuk është parimore lufta për pushtet, e jo për platformë politike. Befasia e “jotolerancës” në ditët para se zyrtarisht të fillojë fushata, zbuloi se midis dy partive të mëdha në pushtet ka ekzistuar ajo armiqësia e vjetër. Kjo tashmë po shihet, dhe këtë situatë nuk mund ta zbusin deklarativizmat e Presidentit dhe Kryeministrit.
Koalicioni qëndron në këmbë vetëm teknikisht, e jo parimisht. Dhe, kur them se konflikti ka ekzistuar edhe më parë dhe është shfaqur edhe në qëndrimet e qytetarëve dhe analistëve që insistonin se LDK-ja në koalicionin qeveritar është shndërruar në servis të PDK-së, ky në të vërtetë është ai qëndrimi tolerant i LDK-së për të cilin flet Haziri. Këtë situatë krize të brendshme të koalicionit e kanë mohuar me deklarata të shpeshta Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi, duke e qetësuar kështu opinionin, por këta të dy i demantoi forma e fushatës jotolerante e kandidatëve për shefa lokalë, pasi që askush nuk e beson se këta kandidatë “lokalë” do të mund të paraqiteshin kaq jotolerantë pa lejen e shefave “qendrorë”. Në zgjedhjet qendrore (tetor-nëntor 2007), PDK-ja është paraqitur me një formë fushate të paskrupullt, e cila është përballur me fushatën tolerante të LDK-së. PDK-ja ka fituar zgjedhjet në bazë të “argumenteve” për ministrat e “korruptuar” të koalicionit LDK-AAK. Modeli i asaj fushate dihet nga vjen - nga modeli i udhëheqjes së fushatave paraelektorale të Partisë Socialiste të Shqipërisë që kur ekziston ajo. “Për ndryshime”, “Për energji elektrike 24 orë”, “Për luftë kundër korrupsionit të LDK-AAK”, “Për punësimin e mijëra të rinjve”, etj, etj, etj. Me këto slogane, PDK-ja fitoi një shumicë minimale mbi LDK-në.
Por, derisa fushata e PDK-së ishte e paskrupullt, LDK-ja nuk ia kthente topin dhe ishte tolerante, duke kujtuar se argumentet politike do ta fitojnë luftën kundër atyre që fajin për situatën e rëndë të krizës në Kosovë, ia hidhnin ekskluzivisht LDK-së. LDK-ja asohere mbështetej në figurën historike të Presidentit Ibrahim Rugova, pikërisht në kohën kur opozita e saj insistonte se “pa Rugovën nuk ka LDK!”. Derisa LDK-ja nuk kishte në anën e saj asnjë medium, PDK’ja kishte korruptuar thuaja gjitha redaksitë e mediave dhe ato në mënyrë të organizuar nga një shtab përpiqeshin të bënin “grusht-shtetin”, të cilin edhe arritën ta realizojnë.
Çka tash, sot? A do të qëndrojë LDK’ja përballë kësaj fushate joparimore të PDK’së dhe AAK’së, sipas asaj tolerance tashmë disfatiste të cilën e përmend Haziri? A do të dalë në defanzivë vetëm për ta ruajtur koalicionin qeveritar?
Unë nuk e di. Por, nuk është e rëndësishme çfarë qëndrimi do të marrë LDK’ja pranë startit të ditës së zgjedhjeve më 15 nëntor. Një gjë është e rëndësishme të dihet. PDK’ja po mendon se modeli i fushatës së saj, si ai i tetor-nëntorit 2007, do të pijë ujë edhe kësaj here. Kështu mendon edhe AAK-ja, e cila nuk ofron programe, por vetëm akuza kundër opozicioneve. Mendoj se pikërisht ky model tashmë i reprizuar i fushatës, e cila mbështetet në “kritikë joparimore” ndaj të tjerëve, e jo në programe konkrete të këtyre dy partive, do të jetë shkak i humbjes së PDK-së dhe AAK-së në të gjitha të gjitha komunat e Kosovës. Anëtarësia e LDK-së, e mashtruar nga propaganda e tetor-nëntorit 2007, sivjet do të kthehet në bazën e saj, aty ku që 20 vjet u angazhua me sakrifica të mëdha në krah të Presidentit Rugova, promotorit të pavarësisë së Kosovës. Edhe nëse nuk kthehet një pjesë e anëtarësisë së dikurshme të LDK-së, së paku ata sivjet nuk do ta votojnë PDK-AAK-në!
Ky do të jetë rikthim i Kosovës në drejtim të duhur. Në rrugë të mbarë.

Autori është anëtar i Kryesisë së LDK-së, ish-ministër i Kulturës. Shkrimi është botuar së pari në të përditshmen e Prishtinës “Express”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›