Stalini, si familjar mizor
Me rastin e një denoncimi të ri në Rusi
Stalini si antishqiptar - Pas destalinizimit të famshëm, me nismën e Krushovit, në Kongresin XX të PK(b) të B.S., këto ditë doli edhe kryeministri i zgjedhur me miratimin e presidentit Putin, duke u shprehur me fjalët dhe me tonet e Krushovit kundër personalitetit të J.V. Stalinit. Duket se nostalgjia për Stalinin dëmton në ditët e sotme edhe Rusinë e Putinit. Prandaj, duke folur për Stalinin si njeri, gjer në shpërfilljen e familjes së vet, do të na duhet, si në vend të një hyrjeje, të tregojmë edhe dëmet që iu shkaktuan vendit tonë nga mbrojtja që iu bë Stalinit nga diktatura jonë, kur të tjerët e kishin hequr nga piedestalet, qysh në vitet gjashtëdhjetë e më parë.
Destalinizimi u përhap në të gjithë Europën lindore komuniste, fill pas fjalës së Krushovit në Kongres. Kjo dukuri i dha fill shfaqjes së disidencës, duke nisur me BS, në të cilin spikaste figura e shkencëtarit atomik, Sakharovit. Në Lindjen europiane komuniste sistemi diktatorial u zbut shumë. Është fakt se dënimet kapitale politike u zhbënë nga proceset gjyqësore. Një dukuri tjetër pasuese është se pronësia legjitime pati një hapje graduale në dobi të pronarit të ligjshëm, gjë që zhduki konfliktualitetet, kur u bë ndërrimi i sistemeve. Kjo nënkupton krahasime të njëmendta me vendin tonë, nga të cilat nënkuptohet sesa do të ecnim përpara në shumë drejtime, në qoftë se do të kishte vend në Shqipëri kjo dukuri frymëmarrëse që u jetësua me rastin e denoncimit të krimeve të Stalinit. Natyrisht që nuk do të kishim atë trashëgimí rrënuese që përmblidhet në një fjalë të vetme: nostalgjí.
Kështu sot për sot askush në vendet europiane, qofshin ato që hoqën diktaturën nazifashiste, qofshin ato që ranë nën sundim të Stalinit, nuk pipëtijnë dot për t’i fryrë propagandës totalitare: Në Itali Xhorxhio Almirante i shprehu fillimisht simpatitë profashiste por pastaj, kur frerët e Lëvizjes Sociale Italiane të Almirantes ranë në duar të Xhanfranko Finit, ky politikan i suksesshëm i së djathtës, me vizionin e vet europian dhe me moderacionin e tij të spikatur, ia shmangu politikës gjurmët e nostalgjisë së vjetër, me shumë mençuri. Në Gjermani, politikani europianist, Konrad Adenaueri, e drejtoi Gjermaninë që bënte hapa të jashtëzakonshëm përpara në përtëritjen e dëmeve të luftës, duke i sjellë sytë drejt Europës së re e duke i lënë gojëmbyllur nostalgjikët e Hitlerit. Sot në Gjermani askush nuk guxon ta përmendë Hitlerin. Është domethënës rasti i aktorit të madh, më moshë nëntëdhjetepesë vjeçare, Johanes Esli i cili, para dy vjetësh, lavdëroi nja dy akuarele të Hitlerit dhe vetëm për këtë u bë i papranueshëm nga auditori gjerman. U rehabilitua vetëm pasi bëri një mea culpa publike.
Në vendin tonë është shkruar shumë për nostalgjinë enveriste, që ka kuptimin e frymëzimit stalinist. Nëse Stalini nuk përmendet shumë tani, kjo bëhet për njëfarë oportuniteti; sepse tirani sovjetik e kishte konsideruar Shqipërinë si plaçkë tregu dhe ua kishte dhënë jugosllavëve të Titos për gëlltitje, para se ta përjashtonte nga Byroja Informative. Do të mjaftonte ky fakt që Enverin ta shpallte antikombëtar, përderisa e mbrojti Stalinin gjer në fund dhe ia la për trashëgim që ta mbronte edhe regjimi i vijimësisë, pas tij. Kuptohet se e kemi fjalën për regjimin e Ramiz Alisë dhe të Nexhmije Hoxhës. Kjo e fundit edhe sot e kësaj dite bën panegjirizmin e E. Hoxhës.
Ruajtja e figurës së Stalinit, kur ai u shfronësua në Bashkimin Sovjetik, nuk ka të bëjë aspak me ruajtje parimesh, por me ruajtje karrigesh. Personi më i besueshëm për vetëvrasjen e gruas së Stalinit, Nadies, ka qenë sekretari i tij privat, Boris Bazhanovi, i cili u arratis nga B.S. për në Perëndim, se nuk e duronte dot terrorin gjithmonë e në rritje të regjimit stalinist.
Nadja, në “Kujtimet” e Bazhanovit/Ndodhte që pas mbledhjeve të B. Politike, Stalini vonohej për të ardhur në shtëpi. E, në këto raste, detyrohesha ta prisja në shtëpinë e tij, së bashku me të shoqen, të cilën e quaja thjeshtësisht Nadja. E njoha nga afër, madje zura dhe njëfarë miqësie me të. Nadja ishte krejt e kundërta e Stalinit. Ajo ishte zonjë grua, e ndershme, njerëzore. Jo e bukur, por kishte një fytyrë të këndshme, të sinqertë dhe simpatike. Ishte e bija e një punëtori bolshevik tek i cili Lenini qe strehuar në vitin 1917. Me Stalinin ajo pati një djalë, Vasilin (5 vjeç në atë kohë) dhe, pas tre vjetësh, lindi edhe një vajzë, Svjetllanën.
Kur u njoha me Nadjen, pata përshtypjen se rreth saj qe krijuar një zbrazëtirë. Mikesha në atë kohë ajo s’kishte, ndërsa burrat nuk i afroheshin, nga frika se mos Stalini dyshonte se i vinin vërdallë dhe mandej ata të gjenin vrimë ku të futeshin! Pata ndjesinë se e shoqja e diktatorit kishte nevojë për ngrohtësi njerëzore.
Jeta e saj shtëpiake ishte e zorshme. Në shtëpi Stalini sillej si një tiran i vërtetë. Disa herë Nadja më qe ankuar: - “Ka tri ditë me radhë që rri si vuv, me askënd nuk flet dhe nuk përgjigjet, kur për diç e pyesin!”. Më qante, kësisoj, hallin dhe psherëtinte e pikëlluar. Mundohesha t’u shmangesha bisedimeve për Stalinin. E njihja mirë Stalinin. Nadja e gjorë sapo kishte filluar të zbulonte imoralitetin dhe natyrën e tij çnjerëzore dhe vetë s’donte t’u besonte këtyre zbulimeve.
Mbas disa kohësh Nadja u zhduk. Siç mora vesh më vonë, kishte vajtur në Leningrad për të kaluar te prindërit muajt e fundit të shtatzanisë. Kur e takova, pasi u kthye, ajo më tha: -Kënaquni duke admiruar krijesën time.
Krijesa tremuajshe ishte Svjetllana. Më lejohej, në shenjë mirëbesimi, ta mbaja në krahë jo më tepër se katër minuta atë topth mishi.
Pasi ika nga sekretariati i Stalinit, Nadjen e takoja rrallë dhe rastësisht. Kur Orxhonikixe u bë kryetar i Komisionit Qendror të Revizionimit, Nadjen e mori në punë si sekretare të tretë. Tek shkova një ditë në zyrën e Orxhonikixes, e takova dhe kuvenduam gjatë me të. Puna pranë Orxhonikixes e kishte gjallëruar; aty atmosfera qé e këndshme. Sergo (Orxhonikixe) ishte njeri i mirë. Paskëtaj nuk e pashë më Nadjen.
Fundi i saj tragjik dihet, veçse jo me tërë hollësitë. Ajo vajti të studiojë në Akademinë Industriale. Pavarësisht nga emri i bujshëm, ato qenë ca kurse kualifikimi për komunistët punëtorë e fshatarë të bazës. Ishte viti 1932 kur Stalini iu përvesh kësaj kasaphane gjigante në tërë Rusinë - kolektivizimit me dhunë - kur miliona familje fshatare niseshin për në kampet shfarosëse të përqendrimit. Dëgjuesit e Akademisë dhe njerëzit e bazës e kishin parë me sytë e tyre këtë rrënim të tmerrshëm të fshatarësisë. Kur dëgjonin se ajo grua e re ishte e shoqja e Stalinit, ata bëheshin memecë dhe e mbyllnin gojën si me çelës. Por dalngadalë të gjithë u bindën se Nadja ishte e mrekullueshme, zemërbardhë dhe e dhembshur; mund t’i besoje. Gjuhët u zgjidhën dhe asaj nisën t’i rrëfenin se ç’ndodhte, në të vërtetë, anembanë vendit. Nadja u tmerrua. Nuk mund të rrinte pa ia treguar të gjitha ç’kishte dëgjuar të shoqit. E përfytyroja reagimin e Stalinit. Ai nuk e kishte për gjë ta shante atë , budallaqe dhe idiote, kur haheshin për ndonjë çështje. Stalini iu hakërrye, duke i thënë se informacioni i saj s’ishte veçse një pjesë e propagandës kundërrevolucionare.
-Po të gjithë dëshmitarët pohojnë të njëjtën gjë.
-Të gjithë?- u vrënjtua Stalini.
-Me përjashtim vetëm të njërit; por ai nuk thotë të vërtetën, se ka frikë. Ky është Nikita Krushovi. Stalini nuk e harroi këtë emër. Në polemikën që vazhdoi në shtëpi, Stalini i tha Nadjes se të gjitha thëniet e saj qenë shpifje dhe këmbënguli që e shoqja t’i rrëfente se kush qenë autorët e këtyre pallavrave. Nadja i përmendi emrat e bashkëbiseduesve. Sikur ta dinte ajo me kë kishte të bënte! Të gjithë ata që i kishin besuar asaj u arrestuan dhe u pushkatuan. E tmerruar, Nadja vrau veten. Vetëkuptohet se unë s’kam qenë dëshmitar i skenës që përshkrova më sipër. Por mbarimin e saj unë kështu e kuptoj, sipas atyre gjerave që na kanë dëgjuar veshët.
Fill pas kësaj nisi karriera e shkëlqyer e shokut Krushov. Për herë të parë, ndërsa po bëheshin zgjedhjet për në organet rajonale, Stalini i tha sekretarit të komitetit të Moskës: -“Kemi një punëtor partie të mrekullueshëm, sekretarin: bëjeni sekretar partie rajoni!”. Në atë kohë fjala e Stalinit ishte ligj. Nuk vonoi që Krushovi të behëj sekretar rajoni dhe shumë shpejt sekretar i komitetit të partisë për Moskën. Kësisoj Nikita Krushovi arriti gjer në majat më të larta të hierarkisë sovjetike.
“Jetët paralele” në librin e Alan Bullock-ut/Librin “Hitler et Staline - Vies parallèles”, ma dhuroi në Varshavë miku im, politologu antikomunist Jozef Darski, kur vajta në Poloni, në prill të vitit 1997, në emër të një grupi studiuesish për të paraqitur materialet që grupi ynë kishte përgatitur për enciklopedinë ndërkombëtare të disidencës. Ky është ndër librat më të mirë, me bibliografi më të pasur, për të dy diktatorët më të mëdhenj të totalitarizmit të sh.XX.“Time” e kishte quajtur një kryevepër qartësie.
* * *
“Jetët paralele” kanë lidhje me drejtëzat paralele në rrafsh, të cilat s’kanë asnjë pikë të përbashkët. Por kuptimi letrar është më i gjerë: Krahasimi përfshin, përveç pikave të përbashkëta, edhe pikat e kundërta. Kjo vërehet në përqasjet që bëhen titull pas titulli në librin e Bullock-ut ndërmjet Hitlerit dhe Stalinit. Edhe për paralelizmin Stalin – Enver, përveç majmunërisë makabre hap pas hapi, kemi të bëjmë edhe me qëndrime të kundërta: Stalini ishte epigoni që ia kishte kaluar Carit, në zgjerimin e kufijve të BRSS-së, në krijimin e Perandorisë së Kuqe; ndërsa Enveri ishte gati të flijonte gjithçka nga Vendi dhe nga Kombi i tij, mjaft që poltronës së tij pushtetare, të mos i shpërbëhej bazamenti...
Në librat e Montefiores dhe të Bazhanovit për Stalinin mendimet janë paksa të ndryshme për personalitetin e Nadies. Por ky i fundit është më i besueshëm, se është dëshmitar okular, domethënë ka pasur njohje të drejtpërdrejtë me Nadjen. Kadareja, në analizën e tij, në këndvështrimin e një letrari, por edhe të një qëmtuesi të thellë historik, duket se nuk pajtohet me ato përligjje që i bëhen figurës së Stalinit, duke e përshkruar të shoqen e tij si të padurueshme, gjë e cila e acaronte Stalinin, sipas Montefiores. Në kuptimin e antipodeve, ndërmjet Nadjes njerëzore dhe Nexhmijes çnjerëzore, që ishte solidare plotësisht me krimet e të shoqit madje, pas vdekjes së këtij, edhe apologjete e këtyre krimeve, I.Kadareja ka përshkruar në mënyrë magjistrale gra të tilla sunduesish komunistë. Këto mendime shfaqen në një Parathënie të fuqishme te libri “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” e F. Balliut.
Qëndrimi shpërfillës ndaj fëmijëve/I mbyllur siç ishte dhe si njeri që i kishte zët vizitat jashtë Moskës, në shtëpinë e tij ftonte shokët dhe shihte filma sovjetikë apo të huaj, duke ngrënë drekën apo darkën. Kjo ishte njohja me hallet e vendit. Ishte, si të thuash, një dritare për të parë jashtë por, njëherësh, qé edhe një imazh aspak besnik i realitetit sovjetik. Sipas Hrushovit, pas 1928-s ai nuk vinte kurrë në fshatrat, të cilat i kishte katandisur si mos më keq. Po ashtu, pas vrasjes së Kirovit, në fillim të vitit 1934, ai nuk shkonte më në Leningrad, madje as pas qëndresës epike 900-ditëshe. Ajo që mund të shihte në Moskë, qé ç’mund të vështrohej duke hapur paksa perden nga Packard-i i tij amerikan i blinduar , ndërsa kjo makinë rrëshqiste me shpejtësi të madhe, e shoqëruar nga një falangë garde e Sigurimit, në rrugët e mëdha që u hapën posaçërisht, për të kaluar lirisht nga Kuncevo në zyrën e tij.
Kjo ruajtje e tij e tepruar kishte domethënien e vet. Por Stalini ishte edhe shkatërruesi i familjes së tij. Të dy djemtë e tij patën një fund tragjik. Ai e urrente djalin e madh, Jakovin, që e kishte nga martesa e parë, pa dyshim se i kujtonte origjinën gjeorgjiane. Kur në fillimin e luftës Jakovi ra rob në dorë të gjermanëve, Stalini e përbuzi si një tradhtar, sepse “një rus i vërtetë nuk dorëzohej kurrë”.
S’di sepse Jakovin e thërritnin gjithmonë Jashka- tregon Bazhanovi. – “Ai qé një djalë i përmbajtur, i heshtur dhe i mbyllur; ishte nja katër vjet më i ri se unë. Kishte një pamje të shastisur. Ti i flisje, ai s’të përgjigjej, thuajse qé në botën tjetër. Mandej, befas e mblidhte veten dhe të dëgjonte me të dy veshët. Stalini atë e urrente dhe vazhdimisht e fyente. Jashka donte të mësonte. Stalini e dërgoi të punonte punëtor në një uzinë. Tërë qenia e Jashkës shprehte një pakënaqësi ndaj të jatit. Ai përpiqej të mos binte në sy e, gjer para luftës, nuk luajti asnjë rol. E mobilizuan dhe e shpunë në front, ku gjermanët e zunë rob. Kur autoritetet gjermane i propozuan Stalinit t’ia ndërronin të birin me një gjeneral të dëgjuar, rob i sovjetikëve, Stalini u përgjigj: - “Unë s’kam djalë”.
Jashka mbeti rob dhe, në fund të tërheqjes, Gestapoja e pushkatoi.
Tani, edhe pak fjalë për të birin e Nadjes. Atëherë ai qe foshnjë; kur u rrit, u bë një alkoolist i pandreqshëm. Historia e Svjetllanës dihet mirë. Sikurse edhe e ëma, ajo e kuptoi natyrën e të atit; pse jo, edhe të komunizmit. Ndaj edhe kërkoi strehim politik jashtë shtetit, duke i dhënë një goditje të fuqishme propagandës komuniste (“Ama të bukur regjim: Edhe e bija nuk e duroi dot dhe u arratis!”).
Mund të pohojmë se Stalini ishte një njeri pa parime morale, me prirje kriminale. Por mendoj se “fenomeni Stalin” ngre një problem tjetër, tepër serioz: si shpjegohet që një njeri i tillë mund të shfaqte prirje kriminale gjatë një çerek shekulli, duke shfarosur me miliona njerëz të pafajshëm, i pandëshkuar? Kësaj pyetjeje mund t’i jepet vetëm një përgjigje: Stalini ishte pjellë e sistemit komunist. Sistemi komunist krijoi një klimë të tillë, në të cilën pushtetmbajtësit tërë veprimtarinë e tyre e konceptonin si një luftë të pandërprerë me kundërshtarët e trilluar, me klasat dhe me grupet armiqësore, me kundërrevolucionarë, me sabotatorë, duke ua hedhur fajin e dështimeve të tyre të njëpasnjëshme armiqve imagjinarë; ndaj dhe vazhdimisht bënin thirrje për represione, për vrasje dhe për shtypjen e të gjitha të drejtave dhe ndjenjave njerëzore.
Qëndrim mizor ndaj njerëzve të Ekaterinës dhe të Nadjezhdës/Edhe njerëzit e të dy grave vuajtën shumë nga Stalini. I vëllai i gruas së parë, Ekaterina Svanixes, Aleksandri, që ishte njëri ndër miqtë më të mirë të Stalinit në rininë e tij, u vra si spiun. Në të njëjtën kohë, e shoqja e Aleksandrit u arrestua dhe vdiq në një kamp përqendrimi. Bijtë e këtij çifti, si “pinjollë të armikut të popullit”, u internuan në Siberi. Motra e Ekaterinës, Maria, u arrestua edhe ajo dhe vdiq në burg. Motra e gruas së dytë, Nadjezhda Alliluievës, Ana, u arrestua në vitin 1948 dhe u dënua me dhjetë vjet burg, si spiune; i shoqi i saj, Stanislas Redens-i, ishte arrestuar më parë, në vitin 1938, si “armik i popullit” dhe, më vonë, u pushkatua. E veja Ksenia e të vëllait të Nadjezhdës, dhe Jevgjenia, gruaja e dajës së Nadjezhdës, u arrestuan pas luftës dhe u liruan vetëm pas vdekjes së Stalinit.
E vetmja qenie ndaj së cilës Stalini dukej si i dhënë, ndonëse me ngathësí, ishte e bija, Svjetllana. Pas vdekjes së të ëmës, ajo e kaloi fëmijërinë dhe miturinë brenda rrethinave të trishtuara të Kremlinit, si e ngujuar në një kullë. Stalini interesohej për ecurinë e mësimeve të saj, e quante “amvisën” e tij dhe ngulmonte që ajo të qëndronte në të djathtë të tij, gjatë drekave të paspunës. Pas buke, ata shkonin për të parë filmin, në një sallë të veçantë, në cepin tjetër të Kremlinit. Këto çaste i përshkruan Svjetllana:
“Ai më shtynte përpara dhe thoshte, duke qeshur: -Hë, pra, na trego rrugën, o e zonja e shtëpisë! Pa një drejtuese rrezikojmë të humbasim!”. Dhe unë marshoja përpara një kortezhi të gjatë në rrugë, në drejtim të skajit tjetër të Kremlinit. Prapa nesh rrëshqisnin njëshkolonë veturat e rënda të blinduara dhe garda e panumërt. Filmat na vononin shumë, gjer në orën dy të mëngjesit, sepse mbaronte njëri – fillonte tjetri...”.
Herë-herë, për të prishur monotoninë, Stalini merrte edhe Svjetllanën në opera ose në teatër. Gjatë pushimeve në Soçi, ai i dërgonte fruta me biletën “çafkëlores sime të vogël”, apo “amvisës sime të vogël”. Veçse i hipte dreqi shpejt kur së bijës i tekej për ndonjë gjë që i ati s’ia përtypte; për shembull kur vishte ndonjë minifund. Pasi i bërtiste sa e bënte për të qarë, ai e qortonte duke i thënë të vishej ashtu siç bënin vajzat e moshës së saj. Kur u rrit dhe donte të bënte jetën e saj, sidomos kur kërkoi të kishte marrëdhënie me të rinj që s’i pëlqenin babait, qëndrimi i këtij bëhej i ashpër. Ky qëndrim i ngurrët shkaktoi një grindje në vitet 1942 -’43. Por e bija shkruante me dhembshuri për ledhatimet kur ishte e vogël: “E doja me të vërtetë, siç më donte edhe ai”. Letrat e Svjetllanës janë një komentar i përzemërt i prirjeve të saj të munguara, nga një burrë i mbyllur në vetvete, i përthithur nga roli që e zotëronte tërësisht dhe egërsisht dhe që e bënte të paaftë të komunikonte me dashurinë njerëzore.