Rama në Orikum xhiron skenarin që shkroi me bashkautorë

- Edi Rama është kryespecialisti i vjedhjes së pronave.
- Industrialistët e shpifjes kanë përgatitur skenarë zjarrvënieje sipas parimit “ku vidhet prona, lihet koka”, por lezetet fillestare të shpifjes shpejt kthehen në hukubete.
- Ëndrrave me rebelime u ka ardhur fundi dhe për kryesocialistin ka mbetur finalja e njohur e atyre që e kanë shpifjen zakon e vjedhjen pasion, e atyre soj njerëzve që i urrejnë institucionet dhe i kanë zët bashkëkombësit e vet
Edi Rama shkoi dje në Orikum për të parë me sytë e tij rezultatin e atij skenari që pat shkruar vetë, në partneritet me disa industrialistë të tjerë të shpifjes, që kanë përmbytur median. Pasi u përcaktua edhe teoria leniniste e inkurajimit të trazirave si rruga e vetme për t’u faktorizuar politikisht, meqenëse në parlament s’mund të kthehet se kështu do të shënonte edhe fundin e vet politik, Edi Rama zbarkoi në Orikum për t’u komunikuar disa fatkeqëve e disa rekrutëve të tij periferikë se protesta s’kishte dalë keq, se ai nuk ishte i pakënaqur nga sjelljet e tyre e se shumë shpejt një pjesë e dytë e skenarit antishtetëror do t’u dorëzohej të dëmtuarve dhe rekrutëve të tij politikë.
“Aty ku vidhet vota dhe prona, lihet koka”, mësohet se ka thënë në një “bisedë të lirë” me “banorë të Orikumit”, kryesocialisti, të cilit nuk ia ka nxënë goja të inkurajojë asnjë trajtim të çështjes sipas legjislacionit në fuqi, por gjithçka ka kërkuar të vendoset në qendër të një aksioni më të gjerë, që do të ishte veç në funksion të ambicieve të tij politike.
Industrialistët e shpifjes raportuan dy ditë rresht se po krijoheshin kushtet që skenari i përgatitur në laboratorin e Tiranës të vihej në zbatim në Orikum, e për ta bërë më të besueshëm atë, arritën të shpiknin çmenduri të tilla si bashkimin e rastësishëm të një mbiemri pronari me mbiemrin e një zyrtari të lartë të administratës shtetërore, apo identifikimin e një tjetër pronari të ligjshëm të një toke që s’ka të bëjë me zonën në konflikt si një njeri i afërt me familjen e kryeministrit. Është ai mekanizmi i njohur e banal i shpifjes, kur citohet se “shtëpia është ngjyrë kafe, pranë saj ka kaluar një qytetar me këpucë kafe, prandaj ai është pronari i shtëpisë”.
Duke luajtur me lidhje të shkurtra që ofrohen rëndom në mjedise politike bizantine, aq më tepër në vende të vogla si Shqipëria, Edi Rama tashmë po përqendrohet thellësisht tek aksionet haxhiqamiliste e rebelimet. Ai sheh ëndrra me rebelime e ditën i vijnë “zëra nga lart” me të njëjtën tematikë. Janë disa skenarë që po shkruan Edvini për zjarrvënie. Ai po përqendrohet në këtë tezë me zell (pasi për politikë duket se s’po ia thotë), me të njëjtin zell siç po përdor një gazetë që shoqërohet nga një stacion televiziv për shpifje nga më të ndryshmet, për lidhjen me kriminelë e me të paraburgosur, të cilëve u shpërndahet pista e mbrojtjes për të devijuar hetimet.
Kjo linjë shpifjesh, thuajse e gjitha me sfond kriminal, mund të ketë lezetet e veta në fillim, por Edi Rama duhet ta dijë mirë se gjithmonë kjo kurbë shpifjesh përfundon në hukubet. Si përfundim ai është arkitekti i kësaj llurbe shpifjesh, ai klasifikohet si autori i saj, prandaj edhe në linjë finale do të jetë pikërisht vetë ai që do të vihet para ligjit.
Zgjedhja e pronave si kali i radhës i betejës, me rastet flagrante të abuzimit të pushtetit në Tiranë e në Orikum ngjan disi si sjellja e kriminelit që kthehet kohë pas kohe tek vendi i krimit. Edi Rama është specialisti më i madh i vjedhjes së pronave dhe s’ka nevojë të jepen shembuj se ato gjenden të shumta në të gjitha mediat e vendit. Për to kanë folur të gjithë ish-bashkëpunëtorët e tij në vite, për to gjenden dhjetëra denoncime nga qytetarë të kryeqytetit dhe biznesmenë të ndershëm në industrinë e ndërtimit. Tashmë ai ka zgjedhur tezat e klithmave të hajdutit “kapeni hajdutin”, por besueshmëria është shumë e ulët.
Me këtë handicap, Edi Rama është i vendosur të shkojë deri në ekstrem të gjërave, por provat e protestave në Lagunën e Aldo Bares dhe zonën e Arta Dades, në Beratin e Erion Velisë apo në Tiranën e vet i kanë dalë shumë për keq.
Këto dështime po e detyrojnë që t’u drejtohet trazirave, por skenarët që po shkruan për zjarrvënie nën moton “ku vidhet prona, lihet koka”, thjesht po ia afrojnë finalen. Ajo është finalja e njohur për atë që e ka shpifjen zakon e vjedhjen pasion, që i urren institucionet dhe i ka inat bashkëkombasit e vet. Ajo finale është veç demaskimi, braktisja e më pas edhe vendosja në bankat e drejtësisë. Edhe këtu ku jemi, zullumi i antiqytetarit tiranas është bërë kaq i madh, sa edhe ndonjë lot i mundshëm krokodili nesër e ndonjë pendesë mashtruese nuk do të bëjë fajde.