“Rikujton fletërrufetë!”- Dhoma e Avokatisë Sarandë kritika Ramës për publikimin e fotove të të rinjve: Cenon prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetin e tyre
Dhoma e Avokatisë Sarandë ka reaguar me kritika të forta ndaj publikimit nga kryeministri Edi Rama të fotografive të personave protestues, mes tyre edhe studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale.

Në një deklaratë, theksohet se praktika të tilla rrezikojnë të cenojnë të drejtat themelore të individëve, përfshirë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas Dhomës së Avokatisë Sarandë, ekspozimi publik i individëve duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale bie ndesh me frymën e legjislacionit shqiptar dhe standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Deklarata thekson se edhe në rastet kur një person është dënuar me vendim të formës së prerë, kjo nuk e justifikon çdo formë të ekspozimit apo stigmatizimit publik.
Një nga kritikat më të forta të Dhomës së Avokatisë Sarandë lidhet me krahasimin që ajo bën mes kësaj praktike dhe të ashtuquajturave “fletërrufe” të së kaluarës komuniste.
“Shfaqje të tilla të kujtojnë praktikën famëkeqe të ‘fletërrufeve’, përmes të cilave paraardhësit politikë të Kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë:
Dhoma e Avokatisë Sarandë shpreh shqetësimin dhe kritikat e saj të forta ndaj publikimit nga Kryeministri i Shqipërisë të fotografive të personave, përfshirë studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale.
Praktika të tilla bien ndesh me frymën e legjislacionit të brendshëm dhe me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ekspozimi publik i individëve, duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale, rrezikon të cenojë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Edhe kur një person është dënuar me vendim të formës së prerë, ky fakt nuk përligj çdo formë ekspozimi dhe stigmatizimi publik. Rendi juridik njeh institutin e rehabilitimit dhe synimin e riintegrimit shoqëror të personave të dënuar, jo ndëshkimin e tyre të përhershëm përmes etiketimit publik.
Shfaqje të tilla të kujtojnë praktikën famëkeqe të “fletërrufeve”, përmes të cilave paraardhësit politikë të Kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.
Dhoma e Avokatisë Sarandë kërkon ndërprerjen e kësaj praktike dhe respektimin e të drejtave themelore të çdo individi. Kryeministri ka përgjegjësinë institucionale të garantojë respektimin e këtyre të drejtave dhe të shmangë përdorimin e autoritetit publik për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.
KRYETARI I DHOMËS SË AVOKATISË SARANDË
Av. Rigels Dervishi