Rilevime në Gjirokastër – Grupi i restauratorëve mbyll ciklin dyjavor

Gjirokastra është kthyer në një laborator të hapur studimi për studentët e arkitekturës dhe dizajnit urban, të cilët për dy javë me radhë morën pjesë në procesin e rilevimit të disa objekteve monument kulture të kategorisë së parë dhe të dytë.
“Studentët kryen punime në rilevim arkitektonik duke bërë një analizë të banesave, historisë”, u shpreh pedagogu Nikolla Vesho.
Ky program, i zhvilluar në bashkëpunim me pedagogë dhe specialistë të restaurimit, u ofroi studentëve mundësinë të njihen nga afër me teknikat profesionale të dokumentimit, analizës dhe interpretimit të trashëgimisë së ndërtimit të objekteve të ndryshme.
“Mendoj se ka qenë një ndër eksperiencat më fitimprurëse sepse është ndryshe kur e ke objektin përpara dhe është një mënyrë shumë e mirë mësim dhënie”, tha një studente.
Me përfundimin e ciklit të rilevimeve, materialet e mbledhura do të përdoren për studime të mëtejshme, projekte restaurimi dhe analiza akademike që synojnë ruajtjen dhe promovimin e vlerave arkitekturore të Gjirokastrës.
Gazetare Leonida Koçiu
/rtsh.al/